Vuçiç i thur lavde Trump: Serbia mund të jetë përparësi strategjike për SHBA-në

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Serbia e kupton vizionin e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe shtoi se kreu i Shteteve të Bashkuara dhe bashkëpunëtorët e tij janë të gatshëm “ta dëgjojnë qëndrimin e Serbisë”.

Në një opinion për Fox News më 22 maj, Vuçiç shkroi se Serbia i ofron SHBA-së “thellësi strategjike, stabilitet politik dhe një qeveri të orientuar drejt zbatimit, e jo ideologjisë”.

Presidenti i Serbisë – shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por që ruan edhe lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën – tha se “marrëdhënia unike midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara mund të shërbejë si përparësi kyç për stabilitetin dhe rritjen e gjithë kontinentit”.

Vuçiç shtoi se Serbia ndodhet në kryqëzimin e “korridoreve kritike energjetike, të transportit dhe atyre digjitale, që lidhin Evropën Juglindore me pjesën tjetër të kontinentit”.

Ai e vuri në pah edhe, siç tha, gatishmërinë e Trumpit dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt për “ta dëgjuar seriozisht dhe pa paragjykime qëndrimin e Serbisë”.

“I kujtoj takimet në Shtëpinë e Bardhë me rrethin e tij më të ngushtë, të cilat zgjatën me orë të tëra pas negociatave të vështira, por në asnjë moment nuk ndjeva se shqetësimet e mia u shpërfillën apo se u trajtova ndryshe”, shkroi ai.

Gjatë mandatit të parë të Donald Trumpit, në shtator të vitit 2020, Vuçiq nënshkroi në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit amerikan, të ashtuquajturën Marrëveshje të Uashingtonit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Serbisë dhe Kosovës, së bashku me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hoti.

Vuçiç shkroi po ashtu se simpatia e Serbisë ndaj SHBA-së është rritur, ndryshe nga, siç tha ai, pjesa më e madhe e establishmentit evropian, “që e sheh filozofinë ‘Amerika e Para’ me një përzierje hutimi dhe armiqësie”.

“Gjatë udhëtimeve të mia nëpër vend kam vërejtur diçka që në kontinentin tonë është pothuajse e rrallë: entuziazëm të pashtrembëruar për udhëheqjen e Donald Trumpit”, shkroi Vuçiç.

Ai tha se Serbia për një kohë të gjatë ka ushqyer “dyshime të rrënjosura thellë” ndaj SHBA-së, veçanërisht për shkak të kujtimeve nga bombardimet e NATO-s.

NATO-ja kreu bombardime kundër Jugosllavisë së atëhershme në vitin 1999, për të ndalur krimet e forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.

Vuçiq shkroi se qytetarët e Serbisë e shohin Trumpin si paqebërës dhe se Serbia sheh tek ai “një lider që vlerëson sovranitetin kombëtar përballë burokracisë pa fytyrë”.

“Nëse Donald Trump e viziton Beogradin, ai do të gëzojë një mikpritje që nuk është parë në Evropë”, shkroi ai.

Vuçiç, në fund të dhjetorit, kishte deklaruar se Beogradi priste hapa të mëdhenj përpara nga administrata e presidentit të SHBA-së, por se kjo, deri tani, nuk ishte ndier.

Ai përmendi atëherë sanksionet ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë, NIS, të cilat SHBA-ja i vendosi në janar të vitit 2025 për shkak të shumicës së pronësisë ruse në këtë kompani, si dhe tarifat amerikane ndaj importeve të huaja, nga të cilat, mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, më së shumti u godit Serbia.