“Miqësi dhe besim” mes Putin dhe Xi| 50 miliardë m³ gaz drejt Kinës, projekti gjigant merr dritën jeshile

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u prit këtë të mërkurë, 20 maj, në Pekin nga lideri kinez Xi Jinping. Një takim ky që synon të rikonfirmojë partneritetin strategjik mes dy vendeve, vetëm pak ditë pas vizitës së presidentit amerikan Donald Trump në Kinë.

Xi Jinping organizoi një ceremoni zyrtare pritjeje për Putin në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin, ndërsa më pas delegacionet zhvilluan bisedime dypalëshe.

Dy liderët pritet gjithashtu të firmosin plot 21 marrëveshje bashkëpunimi, raporton BBC.

Putin & Xi

Siç mësohet deri më tani, lideri i Kremlinit ka deklaruar se bisedimet private me presidentin kinez kanë qenë “miqësore dhe substanciale”, duke theksuar se takimi është zhvilluar në një atmosferë besimi dhe bashkëpunimi tradicional mes dy vendeve.

Rusia dhe Kina kanë arritur një mirëkuptim të përgjithshëm për projektin e madh të gazsjellësit “Power of Siberia 2”, i cili, nëse përfundon, pritet të transportojë deri në 50 miliardë metra kub gaz në vit drejt Kinës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi për mediat se “disa detaje ende duhet të sqarohen”, por theksoi se “ekziston tashmë një mirëkuptim”, duke shtuar se konsensusi përfshin edhe rrugën e gazsjellësit dhe mënyrën e ndërtimit.

Megjithatë, nuk janë dhënë detaje apo afate konkrete për realizimin e projektit.

Nga ana e tij, Xi Jinping theksoi se marrëdhëniet Kinë-Rusi kanë arritur nivelin më të lartë të partneritetit strategjik gjithëpërfshirës, duke u bazuar në respekt të ndërsjellë dhe trajtim si të barabartë. Ai shtoi se të dy vendet do të rrisin bashkëpunimin në fushën e inteligjencës artificiale dhe inovacionit teknologjik, si dhe do të veprojnë si “fuqi të përgjegjshme” në mbrojtje të drejtësisë ndërkombëtare dhe kundër “presionit dhe ndërhyrjeve unilaterale”.

Të dy liderët kanë rikonfirmuar thellimin e bashkëpunimit strategjik mes Moskës dhe Pekinit, sidomos në energji, teknologji dhe politikën globale.

Ata kanë përfunduar deklaratat e tyre dhe janë larguar nga konferenca pa iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Putin u shpreh se është i bindur se bisedimet do të “forcojnë më tej marrëdhëniet dypalëshe”, ndërsa palët nënshkruan gjithashtu një deklaratë për një “rend botëror multipolar”.

Para udhëtimit, Putin publikoi një video ku theksonte se marrëdhëniet mes Rusisë dhe Kinës kanë arritur një nivel të paprecedentë mirëkuptimi. Kjo lidhet edhe me varësinë gjithnjë e më të madhe të Rusisë nga ekonomia kineze pas luftës në Ukrainë, si dhe me interesin e Moskës për të diskutuar ndërtimin e një tubacioni të ri gazi mes dy vendeve.

Nga ana tjetër, Kina po tregohet më e kujdesshme, pasi kërkon të ruajë marrëdhënie të qëndrueshme edhe me Perëndimin, ndërsa liderë perëndimorë kanë vizituar Pekinin për marrëveshje tregtare.

Për këtë arsye, Pekini ka mbajtur një qëndrim neutral ndaj luftës në Ukrainë.

Megjithatë, Xi Jinping kërkon të shfaqet si një lider që mund të komunikojë me të gjitha palët dhe të forcojë rolin e Kinës në skenën globale.

Nga ana tjetër, Ministria kineze e Tregtisë njoftoi se Kina ka rënë dakord të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara për uljen e tarifave doganore mbi mallra me vlerë rreth 30 miliardë dollarë për secilën palë. Po ashtu, Kina do të blejë 200 avionë Boeing! Sipas marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara do t’i garantojnë Kinës furnizime për pjesë dhe komponentë të motorëve të avionëve, duke siguruar vazhdimësinë e zinxhirit të prodhimit dhe furnizimit.

Steve Witkoff

Ndërkohë, është bërë e ditur se i dërguari amerikan për investime dhe bashkëpunim ekonomik, Steve Witkoff, pritet të vizitojë Rusinë shumë shpejt, megjithatë ende nuk ka detaje për kohën apo agjendën e vizitës.

Po çfarë thotë Xi për atë që po ndodh në Lindjen e Mesme?

Presidenti kinez ka deklaruar se situata në Lindjen e Mesme ndodhet në një “pikë kritike” dhe po kalon nga faza e luftës drejt asaj të paqes. Theksoi se ndërprerja e armiqësive është “domosdoshmëri”, ndërsa një rifillim i konfliktit do të ishte “i papranueshëm”.

Xi rikujtoi gjithashtu propozimin e tij me katër pika për ruajtjen dhe promovimin e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme, i prezantuar muajin e kaluar gjatë një takimi me princin e kurorës së Abu Dhabit. Ky plan synon forcimin e bashkëjetesës paqësore, respektimin e sovranitetit kombëtar, zbatimin e së drejtës ndërkombëtare dhe një qasje të koordinuar mes zhvillimit dhe sigurisë.