Shkruan: Numan Sallai
Kërkesa dhe protesta e studentëve shqiptarë për dhënien e provimit profesional të jurisprudencës është e drejtë, por e vonuar. Pa diskutim! Ka edhe shumë veprimtari nga shumë fusha që provimet profesionale, me vite të tëra, nuk mbahen në gjuhën shqipe. Por, adresa është pjesërisht e saktë. Adresa e saktë duhej të ishte politika shqiptare, e të gjitha garniturave, nga viti 1990 deri më sot. Aty duhej (duhet) të kërkohet zgjidhja e problemit dhe zgjidhjeve gjysmake që ka prodhuar shteti për gjuhën shqipe, përkatësisht përdorimin (jo)zyrtar të saj. Zgjidhjet e vërteta kanë mbetur për “kohëra më të mira”, përparësi kanë gjetur tenderët që sjellin shuma të majme financiare. Ngaqë, nga u rrit numri i milionerëve, nga veprimtaria politike. Andaj, edhe tubimi i fundit i studentëve shqiptarë në Shkup, kryeqendra e Dardanisë, ku u erdhën edhe “protagonistët” e Ballkanit të Hapur të Edi Ramës, të opozitës shqiptare kosovare dhe opozitës shqiptare në MV, mbase është edhe një mashtrim i radhës me masat e gjera popullore, një intencë për të kamufluar dështimin, bllamazhën historike të përfaqësimit të turpshëm të interesave të shqiptarëve.
Me siguri për t’i fshehur milionet e vjedhura nga taksat e qytetarëve. Mbase edhe për ndonjë agjendë tjetër që gjithsesi mund të ndërlidhet me intencën e përfitimit krimo-financiar.
Nuk kam dëshirë që ky konstatim të dalë i saktë! Dëshiroj të dështoj, koha të më demantojë, por përvoja më thotë se mashtrimi mes nesh vazhdon…



