Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka reaguar lidhur me protestën e studentëve shqiptarë në Shkup, duke shprehur mbështetje për angazhimin e tyre në mbrojtje të të drejtave në gjuhën shqipe.
Përmes një postimi publik, Osmani ironizoi thirrjet për qetësi dhe pasivitet, duke theksuar se tashmë iniciativa është në duart e studentëve, të cilët i cilësoi si pjesa më e pastër dhe më e ndërgjegjshme e shoqërisë, njofton TS.
“Paskan thënë: ‘Rrini rahat’. Jo, jo… tash krejt do rrimë rahat, sepse punën e kanë marrë në dorë studentët, pjesa më e shëndoshë, më e pastër dhe më e ndërgjegjshme e shoqërisë”, shkroi Osmani.
Reagimi i tij vjen në kohën kur studentët shqiptarë kanë paralajmëruar protestë në Shkup, duke kërkuar të drejtën që provimet për jurisprudencë t’i japin në gjuhën shqipe.
Protesta e studentëve shqiptarë do të mbahet nesër para Urës së Gurit në Shkup në ora 16:30, ndërsa ka marrë mbështetje të gjerë nga figura politike, publike dhe qytetarë shqiptarë.



