Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të hënën se Rusia nuk e ka për qëllim përfundimin e luftës që e nisi para më shumë se katër vjetëve dhe se vendi i tij po përgatitet për sulme të reja.
Zelensky i bëri komentet e tij në kohën kur u shënua fundi i një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara me rastin e përvjetorit të fitores së Bashkimit Sovjetik kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Secila palë e akuzoi njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit. Ai gjithashtu foli dy ditë pasi homologu rus, Vladimir Putin, tha se luftës po i afrohej fundi.
“Sot nuk pati qetësi në vijën e frontit. Veprimet luftarake kanë vazhduar. Rusia nuk e ka për qëllim përfundimin e luftës dhe ne, fatkeqësisht, jemi duke u përgatitur për sulme të reja, por paqja duhet të vijë. Kjo është saktësisht ajo për të cilën po punojmë” – tha presidenti ukrainas në adresimin tradicional të mbrëmjes para popullit.
Të dyja palët raportuan për luftime përgjatë vijës së frontit pavarësisht armëpushimit dhe e akuzuan njëra-tjetrën për sulme me dronë e artileri, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ukraina e Rusia u pajtuan të premten për një armëpushim që do të niste më 9 maj e do të përfundonte më 11 maj si pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për paqe nën pushtetin e presidentit Donald Trump pas më shumë se katër vitesh luftë.
Trumpi tha të premten se shpresonte që armëpushimi do të zgjatej, por ai tashmë po shfaqte shenja tensioni të dielën.
Të shtunën, Putini tha se ai mendon që lufta po i afrohej fundit dhe se është i gatshëm që të bisedojë për marrëveshje të reja të sigurisë për Evropën me ish-kancelarin gjerman, Gerhard Schroeder si partnerin e tij të parapëlqyer.
Megjithatë, ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së, të cilët u takuan të hënën në Bruksel, e refuzuan sugjerimin e Putinit për t’i dhënë ndonjë rol Schroeder-it, i cili ka punuar për kompani shtetërore ruse dhe ka kultivuar lidhje të ngushta me presidentin rus./Nacionale



