Shkruan: Xhelal ZEJNELI
Më 27 prill të vitit 2026, në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit (GJKKO) në Tiranë, u paraqit Ilir Meta. Ish-presidenti i cili gati dy vjet ndodhet në paraburgim, u shfaq dukshëm i dobësuar dhe me shenja lodhjeje.
Në vitet 2017-2022 Ilir Meta ka qenë kryetar i Shqipërisë. Në vitet 1999-2002 ka qenë kryeministër i Shqipërisë. Në vitet 2013-2017 ka qenë kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Ka qenë zëvendëskryeministër, ministër për Evropën dhe për Punë të Jashtme dhe ministër i Ekonomisë, i Tregtisë dhe i Energjetikës. Ka mbajtur kryesinë e Komisionit Parlamentar të Integrimit Evropian. Në vitin 2004 themeloi Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI). Kryetar i Partisë së Lirisë.
* * *
Pamja e Metës në sallën e gjykatës më 27 prill të vitit në vazhdim, në një pjesë të publikut shkaktoi shqetësim. Ish-kryetari i shtetit shqiptar nuk është as kriminel, as vrasës, as terrorist. Gati dy vjet qëndron në qeli. Askush s’ka të drejtë morale të flas për dukjen e Metës. Askush s’ka të drejtë të komentojë se si dukej ish-kryetari i shtetit. Pamja e tij trazoi ndërgjegjen e shumë njerëzve humanë. Shqipëria është vend me sistem demokratik. Shqipëria nuk është Kore e Veriut apo vend latino-amerikan. Shqipëria është vend evropian, anëtare e NATO-s dhe synon integrimin në Bashkimin Evropian. Në botën demokratike, edhe krimineli, edhe vrasësi, edhe terroristi trajtohen apo duhet të trajtohen në mënyrë të njerëzishme, humane. Shteti dhe institucionet e tij s’mund të jenë dhe s’mund të sillen e të veprojnë si kriminelë, si vrasës apo si terroristë. Meta s’është kriminel, as vrasës, as terrorist. Ish-kryetari i shtetit duhet të trajtohet në burg në mënyrë humane, të njerëzishme. Përgjegjësi për gjendjen shqetësuese të tij duhet të mbajnë Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme. Për gjendjen e ish-kryeministrit duhet të brengosen gjykatat, organet e gjyqësisë, organet e burgut. Shqiptarët janë popull evropian, ndaj nuk mund të lejojnë një degradim shqetësues të të burgosurve. Nuk jemi në mesjetë, jemi në shekullin XXI. Trajtimi human i të burgosurve nuk vlen vetëm për ish-kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë. S’ka dyshim se të gjithë të burgosurit duhet të kenë trajtim të njëjtë. Para veprimeve anakronike të gjyqësisë dhe të burgjeve, shoqëria shqiptare nuk duhet të rijë duarkryq, nuk duhet të jetë indiferente apo indolente. A ka Shqipëria Avokat Populli? A është diku ai që quhet Komitet i Helsinkit?! A janë gjallë shoqatat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut? Forumet e pavarura nuk duhet të jenë vegla dhe instrumente të shtetit, të qeverive, të qeveritarëve, të pushteteve, të pushtetarëve, të oligarkëve, të bosëve. Edhe i privuari nga liria është njeri. Edhe i arrestuari ka integritet dhe dinjitet. Askush s’ka të drejtë ta cenojë dinjitetin dhe integritetin e personit të prangosur. Aq më tepër shteti. Burgu duhet t’u sigurojë të arrestuarve, të akuzuarve, të pandehurve dhe të dënuarve kushte normale për vuajtjen e dënimit apo për kryerjen e hetuesisë. ndryshe, burgjet do të na i përkujtojnë zandanët e kohëve obskurantiste. Askund nuk është parë një proces gjyqësor të zgjasë me vite. Faji i dikujt duhet të konstatohet brenda gjashtë muajve. Pas kësaj, i pandehuri ose lirohet si i pafajshëm, ose dënohet. Pasi të dënohet, fillon në burg faza dhe procesi i risocializimit të të dënuarit. Në është i ri, i jepet në burg ose zanat, ose shkollë që kur të përfundojë vuajtjen e dënimit, të mund të integrohet në shoqëri. Pamja dhe dukja e Ilirit na përkujton Burrelin dhe Spaçin. Do të ishte mirë që Meta t’i nënshtrohet një kontrolli mjekësor të hollësishëm dhe profesional, jashtë hapësirave të burgut. Të kontrollohet nga mjekët specialistë sa s’është bërë vonë.
Ç’është kjo marrëzi që ish-kryetarin e shtetit ta sjellin në gjykatë në kafaz prej qelqi?! Kush është ai që i frikohet njeriut duarlidhur, të rrethuar nga policë e gardianë?! Kush është që mendon se ka të drejtë ta degradojë personalitetin e individit, para bashkëshortes apo ish-bashkëshortes, para fëmijëve, para prindërve, shokëve, farefisit, ish-kolegëve. Ku mund të ikë e të arratiset një 57-vjeçar, baba i te fëmijëve? Mbase edhe me shëndet të rënduar?! Ata që ia kanë caktuar Metës apo edhe të paraburgosurve të tjerë kafazin e qelqtë, duhet të mbajnë përgjegjësi. A thua prej kujt kanë marrë një sugjerim apo urdhër të tillë? Kafaze qelqi nuk janë përdorur as në Procesin e Nurembergut të viti 1946 ndaj krerëve nazistë të Luftës II Botërore.
Po qe se një proces gjyqësor zvarritet apo prolongohet pafundësisht, atëherë ai rrezikon të shndërrohet në proces politik.
Çdokush duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e paligjshme, por gjithmonë duke respektuar dinjitetin dhe integritetin e individit.



