Një gjeneral i lartë i ushtrisë amerikane ka paralajmëruar se Kina nuk është më thjesht një “rival i afërt”, por tashmë një fuqi ushtarake e barabartë me Shtetet e Bashkuara, raporton The War Zone.
Stephen Sklenka, zëvendës komandant për instalimet dhe logjistikën në Korpusin e Marinës Amerikane, deklaroi se kërcënimi nga Kina është më i madh se çdo tjetër.
“Nuk ka kërcënim më të madh. Nuk janë më një ‘rival i afërt’ – janë një rival i barabartë në pothuajse çdo tregues të fuqisë kombëtare”, u shpreh ai për TWZ-në.
Sipas tij, në rast përplasjeje, një konflikt me Kinën do të ishte shumë më i ashpër se lufta aktuale me Iranin, duke reflektuar fuqinë ekonomike dhe ushtarake të Pekinit.
Gjenerali theksoi se Kina, nën drejtimin e Xi Jinping, synon të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara si lider global dhe po ndërton një kapacitet ushtarak të projektuar për dominim, veçanërisht në rajonin e Paqësorit.
Ai vuri në dukje se kapacitetet industriale të Kinës kanë tejkaluar ato amerikane në prodhim anijesh, çeliku, municionesh dhe teknologjish të avancuara, ndërsa programet për nëndetëse bërthamore dhe raketa janë në zgjerim të shpejtë.
“Kina prodhon më shumë se ne në shumë fusha. Ndërtimi i anijeve është raportuar të jetë qindra herë më i madh”, theksoi ai.
Në të njëjtën kohë, Sklenka paralajmëroi se bazat ushtarake amerikane nuk mund të konsiderohen më zona të sigurta, duke theksuar se ato janë tashmë objektiva të drejtpërdrejtë në çdo konflikt modern.
Sipas tij, kërcënimet nuk do të vijnë vetëm nga sulmet tradicionale, por edhe nga sulme kibernetike, fushata dezinformimi dhe përdorimi i dronëve, që mund të paralizojnë operacionet që në fazat e para të një lufte.
“Sulmi i parë mund të mos jetë një raketë. Mund të jetë një sulm kibernetik ndaj rrjetit energjetik apo një sulm me dronë”, paralajmëroi ai.
Gjenerali bëri thirrje për investime urgjente në mbrojtjen e infrastrukturës ushtarake, përfshirë sisteme kundër dronëve, rrjete të qëndrueshme komunikimi dhe mbrojtje të fortifikuar të bazave.
Sipas tij, në konfliktet e ardhshme, ushtria amerikane jo vetëm që do të luftojë nga bazat e saj, por edhe për t’i mbrojtur ato.



