Inteligjenca Artificiale është bërë pjesë e përditshmërisë sonë, ku sipas të dhënave të Eurostat (2025), rreth 63.8% e të rinjve në Evropë (16–24 vjeç) kanë përdorur mjete të Inteligjencës Artificiale. Ajo që është shqetësuese është fakti që pak vihen në pah ndryshimet që po shkakton në mënyrën se si mendojmë, veprojmë apo sillemi. Për Portalb.mk, dy ligjëruese dhe tre studente nga fushat e Inxhinierisë Kompjuterike, Ekonomisë dhe Psikologjisë ndajnë me ne këndvështrimet e tyre se si vepron dhe ndikon Inteligjenca Artificiale në mendimet e të rinjve.
Autore: Anesa Ibish
Çfarë ndodh në prapaskenë kur kërkojmë përgjigje nga Inteligjenca Artificiale?
Amra Feta, ligjëruese në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik në fushën e Inxhinierisë Kompjuterike, thotë për Portalb.mk se IA nuk mendon si një njeri, por e oarashikon se çfarë është përgjigjja e mundshme.
“Në prapaskenë, kur AI jep përgjigje, ai lexon tekstin tënd dhe e ndan në shembuj më të vegjël, pra e kupton kontekstin dhe pastaj parashikon fjalët e mundshme që do të jenë në të ardhmen apo predikimi i ardhshëm. E bën shumë shpejt sepse është i modeluar në fjalët e mëhershme, pra nuk mendon si një njeri, por e predikon se çfarë është përgjigjja e mundshme bazuar në fjalët që i kemi dhënë.”, thotë Feta.
Ajo shtoi se Inteligjenca Artificiale ndonjëherë mund të japë përgjigje të pasakta:
“AI nuk verifikon, por vetëm parashikon sepse ka mësuar nga modelet më herët. Ndonjëherë mungojnë edhe të dhënat e sakta, pra krijon fjali që të mbushë boshllëqet, por nuk ka diçka logjikshme mbrapa saj. Këtë e quajmë në AI si halucinacion i AI-së.” thotë Feta.
Çfarë thonë studentët?
Sa u përket ndryshimeve në sjellje dhe vendime, studentet nga fusha e Inxhinierisë Kompjuterike dhe Ekonomisë theksojnë se AI po i bën më dembelë.
Studentja Rumejsa Aliu, për Portalb.mk thotë se e përdorim Inteligjencën Artificiale për sugjerime, por që ajo vetë nuk i pranon ato pa i verifikuar.
“Edhe pse ne kemi shumë opsione ku mund të përdorim libra, mund t’i parashtrojmë pyetje profesorëve, përsëri ngurojmë dhe e shohim si opsion më të mirë dhe më të lehtë Inteligjencën Artificiale”, thotë studentja Rumejsa Aliu.
Ndërkaq, studentja tjetër, Rumesa Ramadani thotë se fenomeni i dembelizëmit intelektual nuk e përshkruan plotësisht atë që ndodh me ata.
“Si studentë, shpesh jemi të mbingarkuar, prandaj mbështetja te Inteligjenca Artificiale duket më shumë si një mënyrë për të përballuar ngarkesën sesa si shmangie nga puna. Megjithatë, nuk mund të mohohet se ajo po na bën gjithnjë e më të padurueshëm në aspektin intelektual. Jemi mësuar aq shumë me përgjigje të menjëhershme, sa që në momentin kur një tekst bëhet më i vështirë për t’u kuptuar, apo një detyrë duket e paqartë, reagimi ynë i parë është t’ia lëmë një chatbot-i ta zgjidhë.” thotë Ramadani.
Ajo shton se gjatë përdorimit të Inteligjencës Artificiale ne gradualisht po humbasim aftësinë për t’u përballuar me vështirësi dhe për të qëndruar gjatë mbi një problem.
“Pse të kalosh një orë duke menduar dhe lidhur ide komplekse, kur mund të marrësh një përmbledhje të strukturuar në pak sekonda? Problemi real nuk është se nuk po bëjmë asgjë, por se po qëndrojmë vetëm në sipërfaqe të procesit tonë të të nxënit. Po ia delegojmë algoritmit pjesën më të thellë dhe më sfiduese të të kuptuarit, ndërsa vetë reduktohemi në një rol të kufizuar, si rishikues të thjeshtë të përmbajtjes.” thotë ajo.
A po zhduket diversiteti dhe shumëllojshmëria e mendimeve?
Sumea Ramadani, profesoreshë në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik në fushën e Psikologjisë, sqaron për Portalb.mk se sjelljet njerëzore ndikohen nga dy komponentë, të cilat janë mendimet dhe ndjenjat tona, dhe pikërisht këta komponentë sot preken dhe ndikohen nga Inteligjenca Artificiale.
“Te rinjtë në përmasa shumë të mëdha janë duke u ndikuar nga mendimet shabllon të Inteligjencës Artificiale dhe kjo po ndikon në mungesë të madhe të kreativitetit.” thotë Ramadani.
Ajo gjithashtu thekson se Inteligjenca Artificiale është faktor kyç në formimin e mendimeve.
“Ne në foltoret dhe në bankat e Universitetit po shohim projekte të ndryshme, përgjigje nëpër provime të ndryshme, të cilat janë shumë të ngjashme me njëri-tjetrin, gjë që më parë ka qenë shumë më ndryshe. Arsyeja pse Psikologjia ekziston është diversiteti, llojllojshmëria në mendime, në emocione dhe në sjellje, ngaqë ne të gjithë jemi të ndryshëm edhe truri ynë, sado që i njëjtë të jetë në fizikun e vet, komponentet dhe ato gjëra abstrakte i ka të ndryshme. Për këtë shkak edhe mendimet kanë qenë shumë të ndryshme deri përpara ardhjes së Inteligjencës Artificiale si faktor kyç në formimin e mendimeve.” tha ajo.
Shqetësimi i hulumtuesve nga Instituti i Teknologjisë në Masaçusets (MIT) është se nëse bëhemi shumë të varur nga IA kjo mund të ndikojë në gjuhën që përdorim, madje edhe në aftësinë tonë për të kryer detyra themelore kognitive. Sot ekziston një numër i madh i hulumtimeve që sugjerojnë se ky “kalim” në IA mund të ketë një ndikim shkatërrues në aftësitë tona mendore.





