Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, në emisionin “Debat në Shenja”, deklaroi se jemi në një stad të zhvillimit politik ku përpjekja e tyre si BDI nuk ka të bëj me kthimin në pushtet por ka të bëj me krijimin dhe mobilizimin e një fronti të rezistencës për të ndalë agresionin politik që është përgatitur, sipas tij, ndër vite dhe ka filluar të implementohet këto dy vitet e fundit.
“Prandaj, qasjet e mia personale por edhe të partisë dhe ajo që do e them më tepër është në funksion të një qytetari të brengosur të vendit, i cili i fton të gjithë hajde të bëhemi bashkë ta ndalim këtë agresion se sa një thirrje për besim dhe kthim në pushtet”, deklaroi Osmani.
Osmani tha se situata është e jashtëzakonshme dhe duhet mobilzim i të gjithëve.
“Ftesa ime është edhe te njerëzit a-partiak, te mediat, bizneset, OJQ-të, të bëhemi bashkë ta ndalim këtë të keqe, pastaj do të folim për parti politike dhe kush do jetë në pushtet”, deklaroi Osmani, duke marrë shembull edhe studentët të cilët po bëjnë betejën që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe.
Ai tha se nuk po kërkon mbështetje për BDI-në, por është një kohë kur po sfidohemi si popull.
“Jemi në një sulm të rëndë për ne si komb, pse jo dhe si shtet, dhe nëse duhet të bëhemi bashkë një muaj, dy muaj, tre muaj, përsëri ndahemi në tabore partiake. Por mesazhi duhet t’ua dërgojmë atyre që e kanë përgatitur këtë plan”, tha mes tjerash Osmani.





