
Irani ka thënë të enjten se nëse Uashingtoni rifillon sulmet, ai do të përgjigjet me “goditje të gjata dhe të dhimbshme” ndaj pozicioneve amerikane, duke komplikuar kështu planet e SHBA-së për një koalicion ndërkombëtar për të hapur Ngushticën e Hormuzit.
Dy muaj pas fillimit të luftës që ka nisur me sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit, kjo rrugë detare jetike mbetet e mbyllur, duke bllokuar rreth 20% të furnizimeve botërore me naftë dhe gaz. Kjo ka çuar në rritje të fortë të çmimeve globale të energjisë dhe ka rritur shqetësimet për rrezikun e një rënieje ekonomike.
Përpjekjet për të zgjidhur konfliktin kanë arritur në një ngërç, teksa armëpushimi mbetet në fuqi që nga 8 prilli, por Irani vazhdon të bllokojë ngushticën si përgjigje ndaj bllokadës detare amerikane ndaj eksporteve të naftës së tij, që janë burimi kryesor i të ardhurave të vendit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet të marrë të enjten një raport mbi planet për një seri sulmesh të reja ushtarake ndaj Iranit, me shpresën për ta bërë atë më fleksibël në negociatat për çështjet bërthamore, ka raportuar faqja e lajmeve Axios.
Njoftimi ka shkaktuar rritje të madhe të çmimeve të naftës, e cila të enjten në mëngjes, në një moment ka arritur në 126 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga marsi 2022 pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Më pas nafta ka rënë në rreth 113 dollarë për fuçi.
Çdo sulm amerikan ndaj Iranit, edhe nëse është i kufizuar, do të sjellë “goditje të gjata dhe të dhimbshme” ndaj pozicioneve amerikane në rajon, ka thënë një zyrtar i lartë i Gardës Revolucionare.
“Kemi parë çfarë ndodhi me bazat tuaja në rajon, do të shohim të njëjtën gjë të ndodhë me anijet tuaja luftarake”, citohet nga mediat iraniane të ketë thënë komandanti i forcës ajrore-hapësinore, Majid Mousavi.
Çmimet e naftës Brent janë dyfishuar që nga fillimi i sulmeve SHBA-Izrael më 28 shkurt, duke nxitur inflacionin dhe duke çuar çmimet e karburanteve në nivele politikisht të ndjeshme në mbarë botën.
Përveç bllokimit pothuajse të plotë të kalimit nëpër ngushticë për anijet e tjera (duke lejuar kryesisht vetëm të vetat), Irani ka lëshuar dronë dhe raketa ndaj Izraelit dhe bazave amerikane, infrastrukturës dhe kompanive të lidhura me SHBA-në në vendet e Gjirit.
Teherani zyrtar ka paralajmëruasr të mërkurën për “veprime ushtarake të paprecedenta” kundër vazhdimit të bllokadës amerikane ndaj anijeve të lidhura me Iranin. Ky paralajmërim, së bashku me mundësinë e sulmeve të tjera amerikane, sinjalizon ndërprerje të mëtejshme të furnizimit me naftë nga Lindja e Mesme në një konflikt që ka vrarë mijëra njerëz.


