Një panoramë sa kulturore aq edhe absurde vjen nga Panairi i Librit në Shkup, përcjell agjencia e lajmeve INA.
Ndonëse vizitorët janë të shumtë, vërehet një mungesë e theksuar e gjuhës shqipe në organizim, duke u lënë vend dominimit të shtëpive botuese maqedonase dhe atyre nga Serbia.
Një rrugëtim “gjeopolitik” brenda sallës:
Hyrja: E rezervuar tërësisht për botuesit vendas maqedonas.
Mesi: “Tenda” e madhe e Ministrisë së Kulturës së Serbisë, që zë qendrën e vëmendjes.
Fundi i sallës: Atje ku dritat fillojnë e zbehen, gjen shtëpitë botuese shqiptare si Albas, Fan Noli, Nobel dhe disa botues fetarë.
Një nga botuesit shqiptarë, i pranishëm në këtë eveniment, shprehet me pesimizëm se kjo situatë nuk është e re. Sipas tij, në tre-katër vitet e fundit organizimi mbetet i njëjtë: gjuha shqipe mungon plotësisht në sinjalistikë dhe në protokollin e panairit, duke i trajtuar botuesit shqiptarë si “mysafirë të dorës së dytë” në shtëpinë e tyre.
“Best-seller-i” i arratisjes
Sidoqoftë, ajo që ka habitur më shumë vizitorët nuk ishte radhitja, por dy vëllimet e reja të ish-kryeministrit të arratisur, Nikolla Gruevski. Duket se ditët e gjata në mërgim, mes ndonjë pijeje dhe gullashit hungarez, Gruevski i paska vrarë duke i rënë makinës së shkrimit.
Një ironi e hidhur: ndërsa gjuha shqipe mbetet “në fund të sallës”, shënimet e të arratisurit zënë vendin kryesor në diskursin e panairit.(INA)





