Jeta e vështirë e 71 vjeçares nga Kërçova që vrau burrin, e dënuar me 20 vite burg

71-vjeçarja Shefije Jakupi nga fshati Zajaz i Kërçovës është falur nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova, me ç’rast dënimi i saj është shkurtuar për 1 vit e 6 muaj. Ajo ishte dënuar me 20 vite burg, që do të thotë se së shpejti pritet të lirohet.

Historia e jetës së kësaj gruaje është e dhimbshme dhe e errët. Kur ishte 18 vjeçe, ajo u martua me mblesëri me 24-vjeçarin Abaz. Të dy u takuan për herë të parë në dasmën e tyre dhe menjëherë pas kësaj u shpërngulën për të jetuar në Gjermani.

Por, në vend që të jetonin ëndrrën gjermane, fati i tyre u kthye në një histori që ngjan me skenar filmi. Sipas dëshmisë së saj, bashkëshorti e keqtrajtonte dhe e rrihte, e mbyllte në dhomë dhe nuk i jepte as një copë bukë.

Një ditë, pas 34 vitesh martesë, gjatë një konflikti dhe përleshjeje në shtëpi, Shefija mori një sëpatë dhe e vrau Abazin. Pasi u sigurua se ai nuk merrte më frymë, ajo e copëtoi trupin e tij me një prerëse elektrike për bukë.

Pjesën më të madhe të mbetjeve të trupit e futi në një qese të zezë, të cilën e hodhi në një kontejner. Trupi i Abazit nuk u gjet kurrë, pasi përfundoi në makinën për grumbullimin dhe shtypjen e mbeturinave.

Dëshmi për ngjarjen e rëndë ishin vetëm mbetjet që ajo i kishte hedhur në guaskën e tualetit, duke shkaktuar bllokimin e kanalizimit në ndërtesën ku jetonin në qytetin gjerman të Dyseldorfit.

Pas vrasjes, gruaja u kthye në Kërçovë, ndërsa policia e gjeti në Spitalin Psikiatrik në Demir Hisar.

„Më rrihte, pinte, shkonte pas grave të tjera… Katër herë kam përfunduar në spital pasi më rrihte. Kam duruar, kam duruar për vite, por një ditë nuk munda më“, kishte deklaruar Shefija në një intervistë për „Fokus“ në burgun e Idrizovës, para katër vitesh. përcjell Zhurnal.mk .