Nuk u kthye në burg, dyshohet se Besim Krasniqi është në arrati

Besim Krasniqi, një prej personave nga grupi i Kondovës që dy dekada më parë kërcënonte se do të sulmonte Shkupin, pasi i ishte ndërprerë për një muaj dënimi në burgun e Idrizovës për arsye shëndetësore, nuk është paraqitur në burg sipas vendimit të gjykatës. Institucionet dyshojnë se ai është në arrati.

Krasniqi u ekstradua nga Kosova në Maqedoni në maj të vitit 2024, pasi me urdhër të Gjykatës Themelore Penale Shkup kërkohej me fletarrest ndërkombëtar për vuajtje të dënimit me burg për veprat penale grabitje, krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme dhe dënim për përgatitje në lidhje me veprën penale terrorizëm. Besim Krasniqi është vëllai i Agim Krasniqit, grupit të njohur nga Kondova të cilët janë dënuar për terrorizëm, gjegjësisht planifikim të sulmit në Shkup por edhe për parregullsi zgjedhore gjatë zgjedhjeve parlamentare. Agim Krasniqi u arrestua në vitin 2008 bashkë me grupin e tij 7-anëtarësh. Në vitin 2020 ai bashkë me anëtarin tjetër të grupit Sehat Ramadani u arratisën kur nuk u kthyen në burgun e Shtipit pas një fundjave pushimi, ndonëse kishin edhe disa vite burg për të vuajtur.
Katër vite më vonë në Ferizaj u arrestuan Agim Krasniqi, Besim Krasniqi, Sehat Ramadani dhe Fadil Toçi.
Besim Krasniqi që atëherë ka vuajtur dënimin në burgun e Idrizovës. Ai është i dënuar me gjithsej 28 vjet burg. /Alsat.mk