Para një viti TV21 raportonte për abuzime me botoks nëpër sallonet kozmetike dhe të ondulimit të cilat nuk ishin kompetente për ty kryer këtë veprimtari. Kjo bënte që shumë pacientë të përfundonin me pasoja shëndetësore në Klinikës e kirurgjisë plastike në Shkup. Atëkohë, drejtoresha dhe kirurgia plastike Jasmina Gjeorgievska tregonte se gungat në fytyrë dhe paraliza faciale ishin vetëm disa nga pasojat e injektimeve me fillerë të pa certifikuar dhe nga persona jo mjekësorë.
“Të gjitha komplikimet që mund të ndodhin nga ato injektime që i bëjnë, mund të them në sallonet kozmetike nga persona jo mjekësor, ato raste të komplikuara vijnë tek ne në ambulantë dhe nuk e dimë me çfarë fillerë apo çfarë materiale janë injektuar sepse pacientët nuk marrin ‘barcode’ që është më i rëndësishmi kur të aplikohet diçka, që ta dijë pacienti çfarë i kanë injektuar. Madje edhe ti bëj foto ambalazhit të preparatit nëse nuk do të merr raport, ta ketë në fotografi atë që i është injektuar”, tha Jasmina Gjeorgievska-Pavllovska, kirurge plastike (shkurt 2025).
Por disa prej këtyre abuzuesve u erdhi fundi! Kjo pasi nën udhëheqjen e Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe Ministrisë së Brendshme, u krye një aksion i koordinuar kundër importit dhe shpërndarjes së organizuar dhe të paligjshme të pajisjeve mjekësore të përdorura në qëllime estetike.
“Aksioni është rezultat i ekzistimit të dyshimeve për kryerjen e veprave penale ‘Shoqërim kriminal’, ‘Shkeljes së të drejtave të pronësisë industriale dhe përdorimit të paautorizuar të kompanisë së tjetrit’ dhe ‘Marrjes së ryshfetit’. Deri më tani janë siguruar disa persona, por për shkak të fushëveprimit dhe seriozitetit të rastit, aksioni po zgjerohet me kërkime të reja dhe ndalimin e personave të përfshirë”, thonë nga Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Në kuadër të operacionit, bazuar në urdhra të siguruar më parë nga Gjykata Penale, u kryen bastisje në në Shkup, Strumicë dhe Manastir, gjatë të cilave janë arrestuar më shumë se 10 persona. Disa prej tyre mjekë në klinikat e Shkupit, disa pronarë të ordinancave dermatologjike dhe disa organizatorë të transportit dhe shitjes së mallrave të importuara ilegalisht me statusin e barnave dhe pajisjeve mjekësore, pa miratim nga autoriteti kompetent, pa udhëzime dhe pa etiketa, thonë autoritet.
Gjatë bastisjeve, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi e madhe barnash dhe pajisjesh mjekësore, një automjet luksoz, para të gatshme, parfume, telefona dhe më shumë. Jo zyrtarisht, pajisjet mjekësore që u importuan ilegalisht ishin Botox dhe mbushës, me qëllim përdorimin e tyre për ndërhyrje estetike, por nuk ka informacion nëse ato janë përdorur te pacientët dhe nëse kanë shkaktuar ndonjë dëm. Në operacion u përfshinë edhe mjekë nga Spitali i Përgjithshëm “8 Shtatori” dhe Klinika e Dermatologjisë.





