Kryetarja e Kuvendit, njëherësh ushtruese e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, në moshën 89-vjeçare.
Në një reagim publik, Haxhiu thotë se bota shqiptar sot humbi një nga personalitetet e saj më të mëdha të mendimit kritik, letërsisë dhe të studimit.
Po ashtu, kryeparlamentarja shprehet se për shumë breza studentësh, lexuesish e studiuesish, Rexhep Qosja ishte shkollë më vete dhe se përmes veprës së tij, shumëkush mësoi ta lexojë letërsinë si pasqyrim të shoqërisë, historinë dhe gjuhën si themel identiteti.
“Rexhep Qosja, iku për në amshim, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Librit, duke na kujtuar se krijuesi nderohet më së shumti me veprën që lë pas. Siç thoshte ai, heronjtë e mendjes i bëjnë ballë kohës më gjatë. Akademik Qosja ishte hero i mendjes, ndaj si i tillë do të jetë udhërrëfyes për brezat. Familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe lexuesve të shumtë u shpreh ngushëllimet më të sinqerta. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”, ka shkruar Haxhiu, njofton Klankosova.tv.



