Deputët të Maqedonisë së Veriut sot gjatë një takimi me Drejtorin e Bashkësisë së Transportit (trup ky i përbërë nga vendet anëtare të BE-së dhe 9 vendet aspiruese për hyrje në BE) Matej Zakonjšek, shprehën shqetësimet e tyre me problemet që drejtuesit vendor të kamionëve – që bëjnë import dhe eksport të mallrave me vendet e BE-së – po përballen me kufizimet që shkakton rregulla e vizave të kufizuara Schengen të bllokut evropian, shkruan Zhurnal.mk.
Ankesat e tyre i kanë paraqitur sot gjatë një takimi në Shkup, deputetët e SDSM, Mitko Trajçulevski, si dhe të VMRO-DPMNE Antonio Milloshoski.
“Sa i përket transportuesve profesionistë, jam shumë i vetëdijshëm për këtë problem. Si Bashkësië e Transportit, ne jemi lehtësues mes palëve të ndryshme përgjegjëse për të gjetur një zgjidhje që adreson këto çështje. Në Bruksel ka takime të rregullta ku analizohen të gjitha aspektet – problemet dhe zgjidhjet afatshkurtra dhe afatgjata”, citohet nga 24.mk të ketë thënë Zakonjšek, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të SDSM, Trajçulevski.
Zakonjšek citohet po ashtu të ketë thënë se po “punohet “për gjetjen e një zgjidhjeje lidhur me kohëzgjatjen e qëndrimit të shoferëve profesionistë në zonën Shengen.
Miloshoski theksoi se vonesat në transport ndikojnë drejtpërdrejt në zinxhirët ekonomikë, veçanërisht në industrinë automobilistike në vende si Gjermania, Austria dhe Sllovakia.
“Çdo vonesë prej një apo disa ditësh rrit kostot e transportit dhe çmimin e produktit final. Është në interes të të gjithëve që kjo çështje të zgjidhet sa më mirë”, citohet të ketë thënë deputeti, i cili paralajmëroi edhe një vizitë të një delegacioni të lartë nga Kroacia gjatë muajit maj, për të bisesduar mosmarrëveshjet.
Transportuesit e katër vendeve të rajonit (Bosnjë e Herzegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë) në fund të janarit patën bllokuar kufinjtë me vendet e BE-së për katër ditë rresht, në protestë të përbashkët ndaj rregullës “90 ditë brenda 180 ditëve” që ka viza aktuale në fuqi e BE-së.
Tarnsportuesit vazhdojnë që të kërkojnë që atyre t’u zgjatet leje qëndrimi për shkak të punës së tyre të përditshme e të mos trajtohen nga BE njëjtë siç trajtohen turistët apo vizitorët e thjeshtë.
Mirëpo që nga atëherë, as shoqatat e transportuesëve të katër vendeve, e as qeveritë e tyre nuk kanë mundur që të ndryshojnë mendjen e vendeve anëtare për të përmbushur kërkesën e transportuesëve që 90 ditëshi të rritet për t’iu mundësuar lehtësim në punën e tyre të përditshmë të importit dhe eksportit me vendet e BE-së.
Në takimet e zhvilluara me me Komisionin Evropian, transportuesëve dhe qeverive të katër vendeve të rajonit u është thënë që të tentojnë të gjejnë zgidhje me 26 vendet anëtare, por deri më tash asnjë rezultat konkret nuk është arritur meqë kërkesat janë refuzuar.
Ndërkohë të katër vendet ende po shpresojnë që në takimet dy-palëshe të bindin disa nga vendet e BE-së për lehtësime për kohëzgjatjen e qëndrimit të transportuesëve të tyre në territoret përkatëse për të mundur lehtësuar punën e tyre.



