Në prag të konkursit për organizim të brendshëm në MPB mbetet të shihet se çfarë kriteresh do të kërkohen për pozitat udhëheqëse që do të jenë pjesë e riorganizimit të brendshëm të strukturave policore. Në mënyrë drastike do të ulet numri i strukturave udhëheqëse ndërsa rreziku më i madh qëndron në atë se mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në përfaqësimin e drejtë.
Në prag të sistematizimit, respektivisht ri organizimit të strukturave drejtuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme, mbetet ende e paqartë nëse do të preket përfaqësimi i drejtë etnik. Struktura drejtuese do të jetë për rreth 38% më e vogël kurse pozitat që mbesin do të kenë përgjegjësi të definuara konkrete
Për dilemat rreth përfaqësimit Alsat kërkoi sqarim nga zv.ministri i brendshëm Astrit Iseni për atë nëse rrezikohet përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në postet udhëheqëse por i njëjti nuk dha asnjë sqarim për arsye shëndetësore.
Javë më parë Ministri i brendshëm Pançe Toshkovski theksoi se pozitat nuk janë të rezervuara për përkatësi të caktuara etnike por për profesionistë të të gjitha etnive.
Secili që i plotëson kushtet, ka arsim, përvojë, aftësi të fituara paraprakisht në MPB, do të mund të aplikojë dhe të zgjidhet, pati deklaruar javë më parë ministri i brendshëm Pançe Toshkovski.
Sistematizimi i ri prek disa nga sektorët kyç strategjik të ministrisë në nivel qendror duke ndryshuar radhitjen e tyre në organo gramë ose duke u krijuar sektorë me emër krejtësisht të ri. Disa ndryshime ka edhe në organizimin e Sektorëve për Punë të Brendshme por edhe të Departamenteve për Punë të Brendshme ose stacioneve policore lokale. Megjithatë, SPB-të si numër mbesin ato që janë aktualisht, dhe nuk ka shuarje ose degradim në organo gramë të asnjërës Njësi ose Departament për Punë të Brendshme. /Alsat.mk



