Rreth 70 anije humanitare nisen me mision nga Barcelona për në Gaza, ​​​​me një mijë aktivistë në bord!

Një mision i ri ‘Global Sumud Flotiljes’ niset sot nga porti i Barcelonës, një ekspeditë humanitare detare që drejtohet për në Rripin e Gazës me qëllim, ofrimin e ndihmës dhe si sfidë ndaj bllokadës izraelite.

Përafërsisht 70 anije dhe mbi 1,000 aktivistë nga rreth 70 vende po marrin pjesë në iniciativën e organizuar nga Koalicioni i Flotiljes së Lirisë (FFC), Lëvizja Globale për Gazën, Flotilja e Magrebit Sumud dhe Sumud Nusantara (një mision aziatik me pjesëmarrjen e qeverisë malajziane).

Kjo iniciativë zhvillohet në mes të përshkallëzimit në Lindjen e Mesme dhe ndërsa negociatat në Islamabad për një armëpushim të brishtë në konfliktin SHBA-Izrael kundër Iranit, kanë përfunduar pa një marrëveshje.
Mjekë, avokatë, studiues dhe vullnetarë pritet të jenë në bordin e anijeve, së bashku me OJQ ndërkombëtare si Greenpeace dhe Open Arms, të cilët do të ofrojnë mbështetje teknike, mjekësore dhe logjistike.

Sipas aktivistëve, ndërsa vëmendja ndërkombëtare është përqendruar në konfliktin më të gjerë në Gjirin Persik, “Izraeli ka intensifikuar bllokadën e Gazës, duke kufizuar flukset e ndihmave, duke zgjeruar vendbanimet dhe duke përshpejtuar një proces shpronësimi territorial”. Flotilja, e përshkruar nga promovuesit e saj si “misioni më i madh detar civil në mbështetje të Palestinës”, vjen pas një ekspedite të mëparshme shtatorin e kaluar dhe shoqërohet me ngjarje publike dhe nisma ndërgjegjësimi në portin e Barcelonës.

Këshilli i qytetit katalanas ka rritur gjithashtu mbështetjen e tij financiare për projektin.

Themeluesi i Open Arms, Oscar Camps, duke folur për radion Cadena Ser, vuri në dukje se ngarkesa mbante “ilaçe dhe ushqim” dhe ka qëllimin kryesor, të “rikthejë vëmendjen e medias tek ajo që po ndodh në Gaza”.

“Flotilja ka shumë të ngjarë të kapet brenda 100 miljeve nga bregdeti” i Gazës, vuri në dukje themeluesi i Open Arms, por përsëriti vendosmërinë e aktivistëve. “Ne jemi të gatshëm ta marrim këtë rrezik sepse konteksti nuk është i njëjtë me herën e fundit”, siguroi ai./ ANSA.

© SYRI.net