Pionierja kineze e kontrollit të rërës, Yin Yuzhen, është përfshirë në listën e “100 Grave Heroina në Sistemet Agro-ushqimore dhe Zhvillimin Rural” të FAO-s – një nismë globale vlerësimi e ndërmarrë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).
Gratë e nderuara u kremtuan gjatë një ceremonie të enjten, në selinë e FAO-s në Romë, në kuadër të Forumit Botëror të Ushqimit për këtë vit.
Yin ka kaluar më shumë se katër dekada, duke luftuar shkretëtirëzimin në zonën me rërë Maowusu, në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme, në Kinën Veriore. Pas dekadash të tëra mbjelljeje këmbëngulëse pemësh, ajo dhe familja e saj e kanë shndërruar atë peizazh, dikur të shkretë, në një hapësirë të gjelbër, duke kapërcyer kushtet e vështira dhe rërën e lëvizshme.
Historia e saj çoi gjithashtu në një miqësi të qëndrueshme me mësuesin amerikan në pension, Ronald Sakolsky, i cili dekada më parë mblodhi 5000 dollarë amerikanë për të mbështetur punën e saj në pyllëzim.
Yin u shpreh se ky vlerësim e ka forcuar vendosmërinë e saj për të vazhduar punën. “Si një kalë mongol, do të vazhdoj të ec përpara me këmbëngulje dhe vendosmëri, duke e kryer punën time sa më mirë dhe duke i dhënë sërish natyrës,” tha ajo.
Duke folur në ceremoni, Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s, Qu Dongyu, vlerësoi rolin e grave fermere. Ai theksoi se gratë janë një forcë shtytëse në sistemet agro-ushqimore, duke luajtur një rol thelbësor në sigurinë ushqimore, menaxhimin e burimeve natyrore, zhvillimin rural dhe qëndrueshmërinë e komuniteteve.
Më pas, Qu ftoi Sakolskyn t’i bashkohej Yin në skenë. Të dy miqtë u përqafuan sërish dhe së bashku ngritën lart një trofe.
E nisur nga FAO në kuadër të Vitit Ndërkombëtar të Gruas Fermere 2026, kjo nismë globale nderon 100 gra për kontributet e tyre të jashtëzakonshme në bujqësi, sistemet ushqimore dhe zhvillimin rural.
FAO bëri të ditur se kishte marrë 609 kandidatura nga 131 vende anëtare. Procesi i përzgjedhjes përfshiu verifikimin e kritereve, vlerësimin dhe renditjen nga ana e drejtuesve të lartë, si dhe dy raunde diskutimesh.
Krahas Yin-it, në listën e 100 grave heroina të FAO-s u përfshinë gjithashtu Yu Jinxiu dhe Dong Minfang. Yu është një terapiste e moksibucionit nga qarku Qichun, në provincën Hubei të Kinës Qendrore, ndërsa Dong është kryetar i Kooperativës Profesionale të Makinerive Bujqësore “Fengrui” në qarkun Yueyang, në provincën Hunan të Kinës Qendrore. Ato kanë kaluar vite, duke ndarë ekspertizën e tyre për të ndihmuar mijëra njerëz të gjejnë punë dhe të nisin biznese, duke rritur kështu të ardhurat për banorët e zonave rurale.
Kombet e Bashkuara e kanë shpallur vitin 2026 si Vitin Ndërkombëtar të Gruas Fermere, për të vënë në pah kontributin e grave në sistemet agroushqimore dhe për të promovuar politika e investime që përmirësojnë qasjen e tyre ndaj financave, njohurive dhe shërbimeve.



