Shkelzen Halimi
Shoqëria shqiptare, gjithandej qendrave kryesore, po përballet me pasojat e rrënimit të sistemit të arsimit. Të jemi të qartë, rrënimi më tragjik është ai që vjen përbrenda institucioneve të arsimit. Pra nuk bëhet fjalë për armikun e jashtëm, por për atë të brendshëm.
Ndër shumë dukuri negative, të cilat tashmë janë pranuar si normale, është edhe dukuria e detyrimit të studentëve nga ana e profesorëve të blejnë librat e tyre (pra të profesorëve). Dhe, padyshim se ky është një problem serioz etik dhe akademik, që dëmton dukshëm besimin në sistemin arsimor dhe cenon raportin mësimdhënës – student.
Kjo praktikë e njohur dhe e provuar me qindra herë, por e heshtur, paraqet konflikt të hapur interesi. Profesori që konsiderohet udhërrëfyes i dijes, duke u mbështetur në plan-programet mësimore, fatkeqësisht e vë veten në një pozitë që i mundëson përfitime personal. Dhe çka ndodh?
Profesorët e tillë, në vend që të zgjedhin literaturën më të mirë dhe më të përshtatshme për lëndën, ata favorizojnë produktet e tyre, përfshi edhe ato që nuk kanë të bëjnë fare me lëndën e caktuar mësimore dhe kjo natyrisht se e zhvendos vëmendjen nga edukimi te përfitimi financiar. Profesorët e tillë shqiptarë që abuzojnë i ke në Prishtinë, Shkup, Tiranë, Tetovë etj. dhe ata fare nuk skuqen për shndërrimin e tyre në tyxhar.
Një sjellje e këtillë paraqet padrejtësi të madhe, sepse jo të gjithë studentët kanë mundësi materiale për të blerë libra shtesë, aq më tepër kur kjo bëhet detyrim dhe jo zgjedhje. Imponimet e tilla të dhunshme janë thjeshtë një arrogancë anti-akademike. Shëmtia e këtillë që e detyron studentin të paguajë për të siguruar dhënien e provimit, nuk është aspak njerëzore.
Kur një libër blihet si pasojë detyrimi, atëherë vetvetiu shtrohet pyetja: cila është garancia e profesorit se ai libër është i dobishëm apo i nevojshëm? Kjo nuk mund të trajtohet ndryshe, pos si një formalitet abuziv dhe assesi si ndonjë burim real i dijes.
Heshtja dhe mungesa e reagimit institucional ndaj kësaj dukurie tregon qartë se pjesë e problemit janë edhe universitetet, të cilave s’do mend se ka kohë që u mungon kontrolli si mekanizëm mbrojtës nga njollosja edhe nga ky lloj i tregtisë, të cilën e zbatojnë disa profesorë që s’kanë as etikë morale.
Detyrimi i studentëve për të blerë librat e profesorëve që bëhet pjesë shtesë e dhënies së provimit, është një simptomë e një probleme që prek thellë integritetin akademik dhe etikën profesionale.



