Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka ngritur aktakuzë kundër 10 personave për “shoqërim kriminal” dhe propozim akuzë kundër 11 personave fizik dhe katër juridik. Të akuzuarit dyshohen për vepra penale për evazion fiskal, pastrim parash, mashtrim tatimor dhe falsifikim dokumentesh. Siç njoftuan nga Prokuroria, gjatë vitit 2023 është krijuar një grup me në krye një shtetas serb pronar i dy firmave, si dhe dy zyrtarë nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, zyra rajonale në Shkup. Të njëjtëve u janë bashkuar dhe pronarë e menaxherë nga kompani të tjera nga Shkupi e Gjevgjelia.
“I akuzuari kryesor, me qëllim shmangien e plotë ose të pjesshme të pagesës së tatimit, në bilancet vjetore tatimore të dorëzuara në DAP ka paraqitur të dhëna të rreme për të ardhurat e tij dhe të personave juridikë. Dy zyrtarët e punësuar në DAP, duke i dhënë këshilla dhe udhëzime dhe duke hequr pengesat për realizimin e veprës, me dashje e kanë ndihmuar në kryerjen e veprës penale të evazionit fiskal. Në këtë mënyrë, në emër dhe për llogari të personave juridikë përgjegjës, i akuzuari kryesor nuk ka llogaritur dhe nuk ka paguar tatim në vlerë të konsiderueshme prej gjithsej 16.782.519 denarë”, thanë nga Prokuroria Publike.
I akuzuari kryesor ka paraqitur të dhëna të rreme për të ardhurat
Dy zyrtarët e DAP-it, kanë dhënë këshilla dhe udhëzime
I akuzuari kryesor nuk ka paguar tatimin prej 16,7 milion denarë
Edhe të dyshuarit e tjerë pronarë të kompanive, kanë dëmtuar buxhetin në shumë prej 33,6 milion denarëve duke paraqitur deklarata të rreme tatimore. Një pjesë e të akuzuarve kanë pranuar dhe transferuar mjete prej 401 milion denarësh. Shtatë të akuzuarve u është caktuar masa e paraburgimit ndërsa gjithashtu është propozuar dhe konfiskimi i pasurisë të të dyshuarve. Përmes ndihmës juridike ndërkombëtare, janë ngrirë pasuritë dhe llogaritë e të dyshuarit kryesor shtetas i Serbisë./Alsat.mk.





