Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë thotë se ndalimi njëvjeçar i TikTok-ut ishte antikushtetues

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi të mërkurën se ndalimi njëvjeçar i platformës sociale TikTok nga Qeveria, i cili skadoi muajin e kaluar, ishte antikushtetues dhe shkeli lirinë e fjalës.

Ndalimi, i vendosur vitin e kaluar dhe fillimisht i lidhur me vdekjen e një nxënësi 14-vjeçar në Tiranë pas bullizmit në internet, bëri që platforma kineze e videove të shkurtra të ndalohej për të gjithë përdoruesit në vend.

Në atë kohë, TikTok-u tha se përleshja mes nxënësve nuk e kishte zanafillën në platformën e tyre.

Ndalimi përfundoi më 5 shkurt 2026 dhe Qeveria përmendi “mekanizma të rinj sigurie” të zbatuar nga TikTok.

Në vendimin e saj të mërkurën, Gjykata Kushtetuese tha se Qeveria nuk kishte shqyrtuar mjaftueshëm pasojat e zbatimit të një ndalimi të tillë dhe nuk kishte “provuar në mënyrë bindëse se bllokimi i përgjithshëm i platformës përbën mjetin e vetëm efektiv dhe të domosdoshëm për t’i arritur qëllimet”.

Ajo gjithashtu tha se ndalimi shkeli lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes.

Vendimi u dha në përgjigje të një kërkese të paraqitur marsin e kaluar nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative (BIRN).

Partitë opozitare e akuzuan Qeverinë se po përpiqej t’i heshtte ato duke ndaluar platformën disa javë para zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, gjë që Qeveria e mohon./REL