Pas vërtetimit të vrasjes me mbytje të viktimës së parë nga 25-vjeçari Trajko Bojkovski, nga fshati Mllatino i Kumanovës, Prokuroria Publike në Kumanovë ka zgjeruar hetimet nën dyshimin për një tjetër krim mizor.
Sipas prokurorit Ljubomir Lape, i dyshuari mes datave 16 dhe 17 janar ka hyrë në shtëpinë e viktimës 35-vjeçare, Marija Marinkovska nga Kumanova, dhe e ka vrarë atë me goditje në kokë, fakt ky i konfirmuar nga gjurmët mjeko-ligjore.
Bojkovski dyshohet gjithashtu se në periudhën mes 27 janarit dhe 12 shkurtit, në fshatin Çellopek të komunës së Staro Nagoriçanit, ka vrarë me paramendim dhe në mënyrë mizore 78-vjeçaren Mira S.
Deri më tani janë lëshuar urdhra për ekspertizë psikiatrike të të dyshuarit, si dhe për kontrollin e përfshirjes së mundshme të personave të tjerë, ndonëse aktualisht Bojkovski mbetet i dyshuari i vetëm.
Paralelisht, po shqyrtohet përgjegjësia e mundshme e zyrtarëve policorë dhe rrethanat se përse mjekët fillimisht nuk kanë konstatuar vdekje të dhunshme te viktimat, duke qenë se për viktimën më të re ishte konstatuar vdekje natyrore.
Është dhënë urdhër edhe për zhvarrosjen e trupit të një gruaje tjetër të moshuar, e cila i përshtatet profilit të viktimës së parë.
Prokurorja e Kumanovës, Teuta Ramadani, theksoi se hetimi nisi pas denoncimit të një viktime të mbijetuar, 83-vjeçares Sllobodanka Arsovska, e cila gjashtë muaj më parë arriti të shpëtonte falë guximit të saj. Prokurori Lape u bëri thirrje medieve që të mos krijojnë panik te popullata, pasi i dyshuari tashmë ndodhet në paraburgim në burgun e “Këshanjes” dhe nuk ka më rrezik prej tij. Motivi i autorit mbetet ende i papërcaktuar, ndërsa avokati i familjeve Marinkovski dhe Mira S., Aleksandar Simonovski, konfirmoi se ekspertizat e reja po nxjerrin në dritë lëndime që ishin anashkaluar më parë.




