‘Kryesindikalisti’ Trendafillov kërcënon se sërish do të dalin në protesta!

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) sot e braktisi seancën e Këshillit Ekonomik dhe Social. Arsyeja, sipas kryetarit të LSM-së, Slobodan Trendafilov, është qëllimi për të “vendosur rregullim të pagës minimale me rreth 1,600 denarë”, transmeton Portalb.mk.

“LSM nuk ka mandat për të marrë pjesë në këtë dhe e ka braktisur seancën e Këshillit Ekonomik dhe Social”, thotë Trendafilov.

Sipas tij, është për të ardhur keq që Qeveria, punëdhënësit dhe sindikatat e tjera janë të të njëjtit mendim, që paga minimale duhet të rregullohet vetëm ligjërisht dhe jo të rritet.

Ai njoftoi se në mesin e këtij muaji lufta për paga më të larta do të vazhdojë përsëri me protesta.

Në seancën e sotme të Këshillit Ekonomik dhe Social, sipas njoftimeve nga Ministri i Ekonomisë dhe Punës, rendi i ditës duhet të përfshijë shportën mesatare të konsumatorit që Qeveria e ka përgatitur tashmë, dhe pritet që të shpallet shuma e saktë me të cilën do të rritet paga minimale.

Nga Qeveria njoftuan se kryeministri Mickoski tha se gjatë periudhës së kaluar është arritur marrëveshje me sindikatat SPOGJ dhe Sindikata e Administratës dhe e Shërbimit Shtetëror të Maqedonisë (SADU) për paga më të larta të administratës, duke theksuar se në këtë marrëveshje janë përfshirë edhe organizata të tjera sindikatash që nuk ishin pjesë e negociatave fillestare.

“Sa i përket parametrave të tjerë, qëndrimi ynë është i qartë për publikun dhe këtu nuk kemi asnjë dilemë. E fundit që duhej të mbyllnim, për të thënë në mënyrë të kushtëzuar një çështje të hapur, ishte marrëveshja që nënshkruam me sindikatat e SPOGJ-së dhe Sindikatën e Administratës dhe e Shërbimit Shtetëror të Maqedonisë (SADU) dhe këtë e përfunduam. Aty u shtuan edhe sindikata të tjera që fillimisht nuk ishin pjesë e negociatave, por dëshironim të kishim një përfshirje sa më të madhe dhe me këtë e mbyllëm atë çështje të hapur, e cila rinte në ajër edhe në disa seanca të Këshillit Ekonomik-Social”, tha Mickoski.

Kryetari i Qeverisë Mickoski informoi se në mbledhjen e sotme është informacioni për nivelin e pagës minimale e cila do të jetë në vitin 2026 sipas ligjit, duke theksuar se pret që ky informacion të miratohet nesër në mbledhjen e qeverisë.

“Sot në rend të ditës është informacioni për nivelin e pagës minimale, që do të jetë në vitin 2026 sipas ligjit. Pres që në mbledhjen e ardhshme të qeverisë ta miratojmë si Qeveri dhe pastaj, natyrisht, nga prilli të fillojë pagesa sipas nivelit të pagës minimale për marsin,” theksoi Mickoski dhe shtoi se pret që dialogu bipartit ndërmjet punëdhënësve dhe punëtorëve të vazhdojë dhe të intensifikohet në të ardhmen.

Presim që dialogu bipartit ndërmjet punëdhënësve dhe punëtorëve të vazhdojë dhe të intensifikohet. Ne si qeveri gjithmonë jemi në dispozicion për të ndihmuar brenda mundësive dhe kompetencave tona. Çdo gjë që është brenda institucioneve, dialogu institucional duhet të inkurajohet, sepse vetëm kështu mund të arrihet një zgjidhje konstruktive. Mekanizma jashtëinstitucionalë gjithmonë ekzistojnë, Maqedonia ështe shtet demokratik, por vlerësoj që përvoja tregon se gjithçka që është brenda institucioneve sjell zgjidhje. Dhe gjithçka jashtë institucioneve, mendoj se jo vetëm që nuk sjell zgjidhje, por absolutisht polarizon situatën”, tha Mickoski.

Kujtojmë se LSM në shkurt mbajti disa protesta duke bllokuar institucionet kyçe. Më 17 shkurt LSM-ja zhvilloi bllokadë para Qeverisë, ndërsa pas protestës së madhe më 28 janar, e cila kërkoi rritjen e pagave minimale dhe të gjitha pagave të tjera në vend, LSM mbajti bllokada të Parlamentit dhe Odës Ekonomike. LSM e bazon kërkesën e saj për rritje të pagave në rritjen e kostos së jetesës dhe rritjen e vlerës së shportës së konsumatorit të sindikatës.