Analisti politik Mentor Nazarko ka vlerësuar rolin e presidentes Vjosa Osmani në ruajtjen e marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës, duke thënë se ajo ka ndikuar në mbajtjen e hapur të komunikimit me partnerët perëndimorë.
Në emisionin “Edicioni Special” mbrëmë në Klan Kosova, Nazarko deklaroi se Osmani ka garantuar vazhdimësi në raportet me aleatët ndërkombëtarë, në kohë kur Kosova është përballur me vështirësi në komunikim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
“Shqipëria është e interesuar që të ketë vijimësi të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërkombëtare që u instaluan posaçërisht me presidencën Osmani. Kjo duhet thënë, që presidentja Osmani, ky është vlerësimi im individual, e ka mbajtur të hapur derën e Perëndimit edhe në momentet kur Kosova ka pasur vështirësi në komunikim, qoftë me ShBA-në ose me BE. Dhe kështu, në shtete të vogla si Kosova, është e vështirë të gjesh figura të cilat mund të garantojnë këtë lloj vazhdimësie ose këtë lloj intensifikimi të marrëdhënieve të mira me Perëndimin”, deklaroi Nazarko në Klan Kosova.



