Lëvizja BESA është e përkushtuar plotësisht në unifikimin e VLEN-it, që nga momenti i shkarkimit të kryesisë së partisë dhe organeve partiake. Kështu tha Albi Qamili nga Lëvizja BESA në intervistë për Alsat M, duke komentuar procesin e unifikimit të VLEN-it në një parti politike. Ai tha se përkundër disa dallimeve për mënyrën e organizimit të shprehura publikisht, liderët në takime intensive po i sheshojnë të gjitha çështjet.
“Të gjithë partitë nga koalicioni e kanë përshëndetur këtë vendim të Lëvizjes BESA. Ne tani jemi të fokusuar plotësisht në unifikimin e koalicionit VLEN në një subjekt politik. Jemi në bisedime intensive edhe me partnerët tjerë të koalicionit. Liderët kanë takime intensive. Një pjesë e koalicionit ka ende hezitim për formën se si do të organizohet VLEN si një parti politike, por unë mendoj se të gjitha këto dallime do të sheshohen”, tha Qamili.
Qamili paralajmëroi se brenda muajit të ardhshëm mund të ketë të reja në këtë drejtim.
“Vetë shkarkimi i organeve të Lëvizjes BESA ishte një hap konkret për të përshpejtuar unifikimin e VLEN-it dhe besoj se gjatë muajit të ardhshëm do të kemi një epilog konkret se çfarë do të ndodh”, tha ai për Alsat.





