Zelensky e quan Putinin skllav të luftës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka quajtur presidentin rus, Vladimir Putinin “skllav të luftës”.

“Ai mund të mendojë se është një car, por në realitet është një skllav i luftës,” tha presidenti ukrainas gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, duke iu referuar liderit rus.

Zelensky pranoi se ndjente “pak presion” nga Donald Trump, pasi presidenti amerikan i kishte thënë udhëheqësit ukrainas që të mos humbë mundësinë për paqe dhe e kishte nxitur “të veprojë”. Ai u ankua se SHBA shpesh i kërkonin koncesione Ukrainës, dhe jo Rusisë, ndërsa përsëriti kërkesën për garanci sigurie 20-vjeçare.

“Amerikanët shpesh kthehen te tema e koncesioneve dhe shumë herë këto koncesione diskutohen vetëm në kontekstin e Ukrainës, jo të Rusisë,” tha Zelensky. Ai konfirmoi se SHBA-ja i kishte propozuar garanci sigurie 15-vjeçare, megjithatë Ukraina kërkonte të paktën 20 vjet.

Më herët gjatë konferencës, Britania akuzoi Rusinë për vrasjen e liderit opozitar Alexei Navalny me një helm të zhvilluar nga një toksinë e bretkos. Megjithatë, Moska hodhi poshtë këtë akuzë, duke e cilësuar si një “fushatë dezinformimi” perëndimore kundër saj.