Mexhiti uron Kurtin për Qeverinë “Kurti 3”: Kosova hyn në kapitull të ri në prag të 18-vjetorit të Pavarësisë

Në prag të 18-vjetorit të Pavarësisë, Kosova ka hyrë në një kapitull të ri politik me formimin e Qeverisë “Kurti 3”. Me këtë rast, Izet Mexhiti ka uruar Albin Kurtin për rizgjedhjen në detyrën e Kryeministrit të Kosovës.

Në mesazhin e tij, Mexhiti i ka shprehur Kurtit urimet për sukses në përmbushjen e përgjegjësive të reja, si dhe në avancimin e mëtejmë të shtetit, demokracisë dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.

Ai ka uruar gjithashtu qytetarët për formimin e qeverisë së re, duke shprehur besimin se ajo do të jetë në shërbim të zhvillimit, drejtësisë dhe integrimit euroatlantik të vendit.

Mexhiti ka përgëzuar edhe Albulena Haxhiun për zgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës, duke i dëshiruar suksese në drejtimin e institucionit ligjvënës dhe në forcimin e rolit të grave në jetën demokratike të vendit.

Në fund, ai ka theksuar se bashkëpunimi me institucionet e Kosovës ka qenë dhe mbetet i palëkundur, duke nënvizuar përkushtimin për të qëndruar krah për krah në rrugën drejt progresit, stabilitetit dhe të ardhmes evropiane.