CNN: Trumpi ka thirrur policinë për Epsteinin në vitin 2000, zbulohet çfarë u tha atyre

Donald Trump ka thirrur policinë në Palm Beach të Floridës pak kohë pasi në mesin e viteve 2000 ishte nisur një hetim ndaj Jeffrey Epsteinit, për t’u shprehur mirënjohje, zbulon një dokument i ri.

“Faleminderit Zotit që po e ndaloni”, tha atëherë Trump, sipas dokumentit, duke shtuar se “të gjithë e dinin që ai po e bënte këtë”, shkruan CNN.

Dokumenti, që është një shënim i shkruar i bisedës së FBI-së me ish-shefin e policisë së Palm Beachut, ka të ngjarë të ngrejë pyetje të mëtejshme rreth asaj se çfarë dhe kur saktësisht Trump e ka ditur për Epsteinin dhe krimet e tij. Presidenti amerikan dhe Shtëpia e Bardhë kanë pohuar disa herë se Trump ndërpreu çdo lidhje me Epsteinin në fillim të viteve 2000, pasi e konsideronte atë “një person të frikshëm”.

Thirrja e shefit të policisë
Sipas Miami Heraldit, i cili e publikoi i pari këtë histori, dokumenti përmban një bisedë me Michael Reiter, emri i të cilit është redaktuar në dokument. Reiter ishte shef i policisë së Palm Beachut në kohën e thirrjes, që besohet se ka ndodhur rreth vitit 2006. Në bisedën me Reiterin, Trump thuhet se ka deklaruar se njerëzit në New York e dinin që Epstein ishte “i neveritshëm”. Për bashkëpunëtoren e Epsteinit, Ghislaine Maxwell, tha se ajo ishte “operative e Epsteinit”, duke shtuar se “ajo është e keqe dhe duhet t’i kushtohet vëmendje”.

Trump gjithashtu tregoi se një herë ishte afruar pranë Epsteinit në praninë e adoleshenteve dhe se kishte “ikur sa më shpejt të mundej”, sipas dokumentit. Thuhet gjithashtu se Trump ishte ndër “personat e parë” që telefonuan stacionin e policisë në Palm Beach pasi u bë e ditur hetimi ndaj Epsteinit. Dokumenti është pjesë e miliona faqesh të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë bazuar në një ligj të ri të Kongresit.

Shtëpia e Bardhë i dërgoi pyetjen për koment Departamentit të Drejtësisë. Një zyrtar i departamentit deklaroi se “nuk jemi të njohur me ndonjë provë që presidenti të ketë kontaktuar policinë 20 vjet më parë.” Kompania private e sigurisë e Reiterit u përgjigj se “Michael Reiter aktualisht nuk jep intervista”.

Historia e gjatë e ndërprerjes së miqësisë

Pyetja se çfarë dinte Trump për Epsteinin dhe krimet e tij e ka ngarkuar mandatin e tij të dytë, për shkak të interesit të rinovuar të publikut dhe publikimit të miliona faqesh dokumentesh lidhur me të ndjerin kriminel seksual të dënuar. Trump më herët ka thënë se ai dhe Epstein ishin miq në vitet ’90 dhe lëviznin në të njëjtat rrethana në Palm Beach, para se të grindeshin në fillim të viteve 2000. Sipas Trumpit, ky konflikt çoi në ndalimin e qasjes të Epsteinit në klubin e tij Mar-a-Lago.

Trump ka pretenduar se grindja ndodhi sepse Epstein përpiqej t’i merrte punonjësit e tij, por ka mohuar të ketë ditur për krimet e tij. “Nuk më pëlqen koncepti që njerëzit marrin staf që ka punuar për mua”, tha Trump për gazetarët në muajin korrik dhe shtoi se “njerëzit u larguan nga spa-ja, ai i punësoi, me fjalë të tjera, u larguan”.

“Kur e dëgjova për këtë, i thashë se nuk duam që të na merr njerëz – as nga spa-ja, as nga ndonjë vend tjetër. Nuk dua që të marrë njerëz, ai pranoi, dhe pak kohë më pas e bëri përsëri dhe i thashë: ‘Ik nga këtu’,” tregoi Trump. Një herë ai sugjeroi se një prej atyre personave ishte Virginia Giuffre, një nga viktimat më të njohura të Epsteinit, por më vonë tha për gazetarët se nuk di pse ato gra e lanë klubin e tij.

Deklarata kontradiktore për Ghislaine Maxwell
Përshkrimi i supozuar i Trumpit për Maxwell si “e keqe” është në kundërshtim me reagimin ndaj arrestimit të saj në vitin 2020, kur “i uroj të gjitha të mirat.” Maxwell aktualisht po vuaj një dënim të gjatë me burg për trafikim njerëzor për qëllime seksuale.

Ndërsa Maxwell në një dëshmi të fundit para Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve iu referua Amendamentit të Pestë, avokati i saj deklaroi se ajo do të ishte e gatshme “të fliste plotësisht dhe sinqerisht nëse presidenti Trump do t’i jepte falje”.

Në një bisedë më herët me zëvendës-prokurorin Todd Blanche, Maxwell tha se “absolutisht kurrë” nuk kishte dëgjuar nga Epstein apo nga dikush tjetër se Trump kishte bërë ndonjë veprim të papërshtatshëm.

Në korrik, Trump i tha CNN se nuk kishte menduar për falje ose lehtësim të dënimit për Maxwell, edhe pse nuk e përjashtoi plotësisht mundësinë.

“Është diçka për të cilën nuk kam menduar”, tha ai dhe shtoi se “kam të drejtë ta bëj, por nuk kam menduar për këtë”.