Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Sasha Dimitrijeviq, theksoi se përgjegjësia për skandalin me 5 ton drogë që nga Maqedonia ka përfunduar në Serbi çon drejtpërdrejt te maja e pushtetit. Dimitrijeviq tha se prej një jave nuk ka përgjigje për pyetjen kyçe: si ka kaluar një sasi kaq e madhe droge përmes kufirit të Maqedonisë dhe kush do të mbajë përgjegjësi për këtë.
“Nuk ka të arrestuar, nuk ka të dyshuar. Ka vetëm defokusim. Nga fotografitë e publikuara publikisht mund të shihet se droga e sekuestruar në Serbi ishte paketuar në kuti të mëdha kartoni me përmasa 60 me 40 centimetra, me nga 4 deri në 5 kilogramë marihuanë në qese najloni. Kjo do të thotë shumë dërgesa dhe shumë automjete, kamionë. Pesë, dhjetë, ndoshta edhe më shumë rimorkio apo kamionë është dashur ta kalojnë kufirin. Si?”, tha Aleksandar Sasha Dimitrijevi.
Kryeministri Mickoski u pyet se si kanë dalë 5 ton drogë nga Maqedonia dhe ja se si u përgjigj:
“Unë nuk di nga e keni informacionin se nga shteti kanë dalë 5 ton. Nga e dini se e ka prejardhjen prej këtu? Nëse e dini, atëherë duhet të jepni deklaratë në prokurori, sepse unë nuk e di dhe mendoj se as MPB nuk e di. Ju thoni se kanë dalë. Sigurisht keni ndonjë informacion të cilin duhet ta ndani me organet për të ndihmuar në hetim. E dyta, ju më shumë besoni në Qeverinë e fqinje se sa në Qeverinë tonë, ndërsa unë do të isha shumë i kujdesshëm në kushte kur po realizohet aksion i madh në luftë kundër drogës në Maqedoni, i cili nuk filloi dje, por është një proces që po zgjatë më shumë kohë. Tashmë janë 40 ton, nuk do të befasohem që deri në fund të arrijmë në 100 ton”, deklaroi Hristijan Mickoski.
Ndryshe Policia e Serbisë më 29 janar, sekuestroi pesë tonë drogë, të llojit marihuanë. Operacioni u zhvillua në fshatin Konjuh, afër Krushevcit në Serbinë qendrore më 29 janar.
Prokuroria Publike në Maqedoni për këtë rast hapi lëndë pasi mediat serbe njoftuan fillimisht se marihuana ishte siguruar nga territori i Maqedonisë.





