BDI: Në Këshillat Drejtues në Shkup, përfaqësimi i shqiptarëve është ulur dukshëm

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj vendimit të Qytetit të Shkupit për emërimin e këshillave drejtues të disa ndërmarrjeve publike, duke ngritur shqetësime serioze për uljen drastike të përfaqësimit të shqiptarëve në këto organe drejtuese.

Nga BDI thonë se përfaqësimi i shqiptarëve në këshillat drejtues të ndërmarrjeve publike të qytetit është ulur ndjeshëm krahasuar me periudhën e mëparshme.

Në mandatin e kaluar, në këto këshilla ishin të përfshirë rreth 40 përfaqësues shqiptarë, ndërsa me vendimet e miratuara deri tani, ky numër ka rënë në vetëm 17, shkruan gazeta KOHA.

Nga BDI theksojnë se në disa ndërmarrje publike të rëndësishme, sipas vendimeve të fundit, nuk ka asnjë përfaqësues shqiptar në këshillat drejtues. Bëhet fjalë për: Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale”, Sallën Universale, Bibliotekën e Qytetit të Shkupit, Kopshtin Zoologjik, Qendrën Kulturore për të Rinj, si dhe Qendrën Kulturore për Fëmijë në Karposh, ku përfaqësimi shqiptar, sipas BDI-së, është zero.

Në disa institucione të tjera, përfaqësimi është i kufizuar vetëm në një anëtar shqiptar. Këtu përfshihen Muzeu i Qytetit të Shkupit, Qendra Informative Kulturore dhe Shtëpia e Kulturës “Koço Racin”.

BDI sqaroi se për disa ndërmarrje të tjera publike ende nuk ka vendime zyrtare për përbërjen e këshillave drejtues dhe për këtë arsye ato nuk janë përfshirë në këtë reagim. Sipas BDI-së, ky zhvillim përbën një regres serioz në respektimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe të barazisë në organet drejtuese të ndërmarrjeve publike të qytetit. Partia opozitare kërkon sqarim publik nga Qyteti i Shkupit lidhur me kriteret mbi të cilat janë bërë këto emërime, si dhe arsyet e disproporcionit të theksuar në përfaqësim.