Gjykata e Lartë në Beograd mbrëmjen e djeshme ka caktuar paraburgim për tre të arrestuarit gjatë sekuestrimit të pesë tonëve marihuanë në fshatin Konjuh pranë Krushevacit, përcjell TV21. Sipas gjykatës, paraburgimi ndaj N.S., R.S. dhe I.D. u miratua për shkak të rrezikut të arratisjes, për të parandaluar ndikimin tek dëshmitarët, për të parandaluar përsëritjen e veprës penale dhe për shkak të shkeljes së rendit dhe qetësisë publike.
Prokuroria për Krim të Organizuar paraprakisht mbrëm njoftoi se është lëshuar urdhër për nisjen e hetimeve ndaj Aleksandar Mijajlloviç, Nebojsha Spasojeviç, Radet Spasojeviç, Ivan Dragniç dhe Urosh Mladenovski.
Sipas hetuesisë, ky grup kriminal i organizuar ka vepruar në nivel ndërkombëtar, duke blerë gjatë janarit të këtij viti më shumë se pesë tonë drogë marihuanë në territorin e Maqedonisë.
Nga Prokuroria thonë se sipas planit të organizatorit, i dyshuari Ivan Dragniç e transportoi drogën përtej kufirit deri te magazina e familjes së të dyshuarve Spasojeviç, nga ku Urosh Mladenovski e merrte për shitje të mëtejshme.
Shtohet se është veçanërisht indikator fakti që i dyshuari Ivan Dragniç është bashkëpronari i kompanisë “Alphafarm”, e regjistruar në Shkup për prodhimin dhe përpunimin e kanabisit mjekësor.



