Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka njoftuar se nga dita e nesërme (1 shkurt 2026) fillon zbatimi i sistemit “Qyteti i Sigurt – Safe City”, një projekt kombëtar për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Sistemi fillimisht do të vendoset në qytetet me numrin më të madh të humbjeve njerëzore nga aksidentet rrugore – Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, si dhe përgjatë Korridoreve 8 dhe 10.
lg.php.gif
Sipas Isenit, qëllimi i këtij sistemi nuk është ndëshkimi, por parandalimi i aksidenteve dhe shpëtimi i jetëve njerëzore.
“Ky sistem nuk është për gjoba, por për shpëtim jete. Askush nuk do të dënohet nëse me sjelljen e tij nuk rrezikon jetën e të tjerëve në komunikacion,” theksoi ai.
lg.php.gif
Çfarë do të evidentojnë kamerat?
Në fazën e parë, kamerat e vendosura në pikat kritike do të regjistrojnë vetëm shkeljet më të rrezikshme:
• parkim të parregullt,
• tejkalim të shpejtësisë së lejuar,
• kalim në semafor të kuq,
• drejtim automjeti me leje qarkullimi të skaduar.
Autoritetet bëjnë të ditur se pajisjet janë instaluar vetëm në lokacione problematike, ku për vite me radhë janë shënuar aksidente me pasoja fatale.
Apel për qytetarët
MPB u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e trafikut jo për shkak të kamerave, por për shkak të jetës.
“Rrugë më të sigurta nënkuptojnë më pak viktima dhe më shumë përgjegjësi. Siguria nuk është ndëshkim – është detyrim ndaj popullit”, thuhet në mesazhin e institucioneve.
Sistemi “Safe City” pritet të zgjerohet edhe në zona të tjera në fazat e ardhshme, në varësi të rezultateve dhe analizave të sigurisë rrugore.



