Studentët shqiptarë të juridikut në Maqedoni me peticion, kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe

Ish-kryetari i Parlamentit dhe Asociacionit studentor në UEJL, Mevlan Ademi ka njoftuar se është realizuar peticion, ku kanë nënshkruar 385 studentë shqiptarë të juridikut, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, përcjell TV21. Ai njofton se kërkesa është dorëzuar zyrtarisht në Ministrinë e Drejtësisë, Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Kuvendin e RMV-së dhe Qeverinë e RMV-së.

“Që nga koha kur isha kryetar i Parlamentit Studentor, kam nisur këtë iniciativë për ta bërë të mundur zhvillimin e këtij provimi — më të rëndësishmit për juristët — edhe në gjuhën tonë amtare. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme ndër vite, deri më sot kemi hasur vetëm në vesh të shurdhër. Por sot nuk jam më vetëm. Sot, 385 juristë të së ardhmes janë bashkuar për të kërkuar një të drejtë të garantuar me Kushtetutë. Kërkesa është dorëzuar zyrtarisht në Ministrinë e Drejtësisë, Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Kuvendin e RMV-së dhe Qeverinë e RMV-së”, ka shkruar mes tjerash Ademi.