Paraditen e sotme në Tetovë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, dhe ministrja për Arsim dhe Shkencë, Vesna Janevska, morën pjesë në lëshimin e gjimnazit të rikonstruktuar “Kiril Pejçinoviq”, raporton Portalb.mk.
“Për vetëm disa muaj, me një punë vërtet të fortë dhe të përkushtuar, ajo që atëherë ndoshta dukej e pamundur, sot është e mundur, reale. Dua ta falënderoj kryetarin e komunës, këshilltarët e Komunës së Tetovës që e mbështetën këtë projekt, ta falënderoj Ministrinë e Arsimit, si dhe të gjithë ata që ia duan të mirën Tetovës dhe tetovarëve dhe që gjatë kësaj periudhe kanë qenë pjesë, do të thosha, e shumë projekteve që po realizohen në Komunën e Tetovës”, deklaroi Mickoski.
Ai i uroi nxënësit dhe mësimdhënësit për hapësirat e reja për punë dhe mësim, ndërsa kryetari Kasami paralajmëroi vazhdimin e punimeve te salla e vjetër, duke premtuar se do të shndërrohet ne amfiteatër dhe bibliotekë të re.
“Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Komunës së Tetovës dhe pushtetit qendror dhe përfaqëson një investim të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe kuadrin arsimor!”, deklaroi Kasami.





