Policia Financiare kallëzim ndaj kryetarit të KRrE-së!

Policia Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Shkup ndaj kryetarit të Komisionit Rregullator për Energjetikë Marko Bislimovskit, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Sipas njoftimit, ai dyshohet se ka bërë shkelje ligjore duke mosvepruar për të ia hequr në kohë licencën kompanisë “Triterol Petrol”, pasi ajo nuk i plotësonte kushtet ligjore për ushtrimin e veprimtarisë energjetike.

POLICIA FINANCIARE:

-Në vend që licenca të hiqej më 15.01.2024, ajo u hoq vetëm më 14.04.2025, duke i mundësuar kompanisë të vazhdojë në mënyrë të kundërligjshme aktivitetin energjetik për 15 muaj pas skadimit të kushteve ligjore dhe të marrë pjesë dhe të lidhë kontrata lidhur me prokurime publike.

Si pasojë e kësaj, sipas Policisë Financiare, kompania “Triterol Petrol” ka realizuar qarkullim mbi 194 milionë denarë dhe përfitim të paligjshëm mbi 14 milionë denarë, thuhet në kallëzim.

Me reagim ndaj kësaj doli Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe kryetari Marko Bislimovski, duke thënë se janë të hapur për bashkëpunim me të gjitha institucionet me qëllim që të sqarohen çështjet e përmendura të bëra publike nga Policia Financiare.

KOMISIONI RREGULLATOR PËR ENERGJETIKË:

-Në rastin konkret për procedurën e heqjes së licencës së “Triterol Petrol” është vepruar në përputhje me Ligjin për Energjetikë dhe Rregulloren për Licenca, duke vepruar në të njëjtin mënyrë dhe brenda të njëjtave afate edhe për kompanitë e tjera që kanë aplikuar për licenca. KRRE nuk do të komentojë detaje, me qëllim që të lejojë institucionet e sistemit të kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale.

Përndryshe, kompania “Triterol Petrol” është në pronësi të Lupço Pecov – Gjavolli. Ai dyshohet se është një nga organizatorët e grupit kriminal për evazion fiskal në rastin “Zinxhiri”. Pikërisht për t’ia hequr paraburgimin Pecovit për këtë lëndë, avokati Fehmi Stafa u kap në flagrancë në përpjekjen për ta korruptuar gjykatësin e Apelit Gjoko Risotv. Edhe Stafa edhe Ristov tash janë nën hetim.