Kryetari i Komunës së Sarajit Blerim Bexheti, njoftoi sot se numrat e të infektuarve me Kovid-19, gjithsejtë 41 paraqes shqetësim të madh. Ai ftoi autoritetet shëndetësore kompetente që të kryejnë testime në Komunën e Sarajit për të parandaluar përhapjen e virusit, por edhe për të detektuar vatrat e infektimeve.
“Kjo betejë nuk mund të fitohet pa pjesëmarrjen e gjithsecilit. Ky virus nuk është shaka. Komuna e Sarjit ka shënuar 41 raste të të infektuarve me Kovid-19. Të infektuarit vijnë nga më shumë vendbanime të komunës sonë”, tha Blerim Bexheti, kryetar i Komunës së Sarajit ndërkohë që apeloi deri tek banorët e Komunës së Sarajit për respektim të masave të kujdesit, siç është mbajtja e maskave mbrojtëse dhe mbajtja e distancës fizike. Sepse siç u shpreh ai vetëm respektimi i masave parandalon shpërndarjen dhe kursen bashkë familjarët tanë dhe shoqërinë tonë.
“Ftoj autoritetet e shëndetit publik që të rrisin ndjeshëm numrin e testeve në komunat tona në mënyrë që të identifikohen sa më shpejt dhe sa më saktë të gjithë infektuarit të cilëve duhet t’ju dilet në ndihmë, por edhe të parandalohet shpërndarja e mëtejmë e virusit. Vetëm nëpërmjet të testimeve, mbi 700 në ditë, mund të kuptojmë se sa njerëz janë infektuar dhe ku janë vatrat e të infektuarve”, deklaroi Bexheti.