Komuna e Bërvenicës, ku sipas regjistrimit të fundit shqiptarët përbëjnë rreth 54% të popullsisë, ndërsa maqedonasit 45%, të dielën, më 18 tetor, do të zgjedhë kryetarin e ri në zgjedhjet e parakohshme lokale.
Zgjedhjet mbahen pas vdekjes së papritur të kryetarit Jovica Ilievski në qershor të këtij viti.
Në bllokun politik shqiptar, gara zhvillohet ndërmjet kandidatëve të VLEN-it dhe BDI-së, ndërsa në fletëvotim është edhe një kandidate e pavarur shqiptare.
Koalicioni VLEN garon me Jakup Huseinin, magjistër i shkencave juridike dhe nëpunës në administratën komunale. VLEN thekson se përvoja e tij institucionale i mundëson të fillojë menjëherë punën.
Nga ana tjetër, BDI-ja dhe koalicioni AKI kanë kandiduar Arkin Jahiji, jurist dhe këshilltar shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë. Jahiji në fushatën e tij ka theksuar bashkimin e qytetarëve dhe tejkalimin e ndarjeve në komunë.
Në garë merr pjesë edhe kandidatja e pavarur Arife Idrizi, e cila synon mbështetjen e votuesve jashtë blloqeve kryesore partiake.
Ndërkohë, në bllokun maqedonas, VMRO-DPMNE garon me Stojançe Radiçeskin, i cili premton vazhdimin e projekteve infrastrukturore, ndërsa LSDM-ja me Jovica Radeskin, i cili ka vënë theksin te përkujdesja sociale dhe pensionistët. Kandidat i pavarur është edhe Dushan Bogdanovski.
Kryeministri Hristijan Mickoski ka shprehur mbështetje për kandidatin e VMRO-DPMNE-së dhe ka deklaruar se pret fitore që në raundin e parë.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2025, gara në Bërvenicë ishte jashtëzakonisht e ngushtë. Jovica Ilievski fitoi ndaj kandidatit të VLEN-it, Haqim Ramadani, me vetëm 145 vota diferencë në raundin e dytë.
Votimi për personat e sëmurë dhe të pafuqishëm do të zhvillohet të shtunën, ndërsa të dielën vendvotimet hapen në orën 07:00.
Nëse asnjëri nga gjashtë kandidatët nuk siguron shumicën e nevojshme, do të mbahet raundi i dytë pas dy javësh.





