Ndryshimet në Kodin Penal në RMV ndanë komunitetin juridik: Për disa janë kozmetike, për të tjerë duhet të plotësohen

Propozim-ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Penal kanë ndarë mendimet e ekspertëve të drejtësisë, avokatëve, profesorëve dhe përfaqësuesve të sektorit civil, transmeton Portalb.mk.

Sipas një pjese të tyre, propozim-ndryshimet do ta forcojnë sistemin dhe do të vendosin politikë më të ashpër ndëshkimore, ndërsa të tjerët vlerësojnë se propozimi përmban dobësi strukturore dhe mbart rrezik nga populizmi juridik dhe dënime joproporcionale.

Avokatja Ruzhica Nikollovska, u ndal më së shumti te ndryshimet në nenin 353 ku theksoi se në këtë mënyrë shteti do të luftojë më seriozisht korrupsionin dhe keqpërdorimin e pozitës zyrtare.

“Me ndryshimet e propozuara shtohet edhe një veprim, i cili konsiderohet veprim i kundërligjshëm dhe që në vitin 2023 ishte lënë jashtë. Si veprim i kryerjes së kësaj vepre shtohet edhe shfrytëzimi i pozitës ose autorizimit zyrtar të personit, ndërsa nga vetë dispozita shihet se dënimet rriten, përkatësisht ashpërsohet politika ndëshkimore”, tha Nikollovska.

Profesori nga Universiteti “Nënë Tereza”, Sejfulla Ramadani tha se ndryshimet ligjore jo gjithmonë sjellin përmirësime dhe theksoi se pandëshkueshmëria është shumë e lidhur me parashkrimin e veprave penale.

“Duhet të kopjojmë zgjidhje që tashmë dikush në rajonin tonë i zbaton. Në Shqipëri është ndërhyrë në Kodin Penal dhe për veprat penale të bartësve të funksioneve publike nuk ka më parashkrim. Pra, të gjithë ata bartës të funksioneve publike shtetërore që kanë kryer keqpërdorime, pavarësisht se si dhe kur i kanë kryer, mbahen përgjegjës sapo të zbulohen”, tha Ramadani.

Në debatin publik në Kuvend u diskutua edhe për ndryshimin e nenit 130, sipas të cilit, në rast të ushtrimit të dhunës me bazë gjinore, dhunës ndaj grave, dhunës në familje, dhunës nga urrejtja ose dhunës ndaj një personi veçanërisht të cenueshëm, kryerësi do të ndiqet penalisht sipas detyrës zyrtare.

Për avokaten dhe përfaqësuesen e organizatës “Fronti Prindëror”, Netka Kovaçeva, inicimi i këtyre ndryshimeve është i domosdoshëm.

“Me ndryshimin e propozuar të nenit 130 të Kodit Penal sigurohet harmonizimi me dispozitat e Konventës së Stambollit, veçanërisht me nenin 55 të saj, i cili parashikon që procedurat penale të mos varen plotësisht nga kallëzimi apo vullneti i viktimës dhe që procedura të vazhdojë edhe kur viktima të tërhiqet. Në këtë mënyrë, shteti merr një rol aktiv në ndjekjen e dhunës dhe hiqet barra nga viktima”, tha Kovaçeva.

Propozim-ligji për ndryshim dhe plotësim të Kodit penal është parashtruar nga deputetët e VMRO-DPMNE-së: Bojan Stojanoski, Ljupço Prenxhov, Toni Jarevski, Brane Petrushevski, Dragana Bojkovska, Dafina Stojanoska, Igor Zdravkovski, Lidija Petkoska dhe Martin Stojanovski.

Sipas tyre, me ndryshimet e reja në Kodin Penal do të shmangen pasojat e mundshme të dëmshme në të ardhmen nga ndryshimet ligjore të miratuara në shtator të vitit 2023, ndërsa propozimi synon gjithashtu përmbushjen e standardeve evropiane dhe ndërkombëtare.

Siç ceket në kumtesën e publikuar në ueb faqen e Kuvendit, qëllimi është miratimi i këtij ligji është harmonizimi i Kodit penal, mënjanimi i dobësive në dispozitat e caktuara dhe veprimi në pajtim me Vendimin e Gjykatës kushtetuese nga 12 shkurti 2025 publikuar në Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut” numër 58/25. Tendenca e ndryshimeve dhe plotësimeve të propozuara ligjore, siç ceket, është avancimi i dispozitave për subjektet ligjore dhe ashpërsimin e politikës ndëshkuese përmes rritjes së dënimeve të caktuara për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe autorizimit” nga neni 353, “Bashkim kriminel” nga neni 394.

Duke u nisur nga keqpërdorjet e privatësisë dhe zbrazëtirave të konstatuara juridike në dispozitat ekzistuese të Kodit penal gjatë zbatimit të tyre në praktikë, pa dyshim u imponua nevoja për vendosje të veprës së re penale përkatësisht inkriminimit të ‘Keqpërdorimit të xhirimit të huaj, fotografisë, audio incizimeve apo shkrimeve me përmbajtje seksuale-eksplicite’. Me atë, vepra e propozuar penale në subjektin ligjor si objekt i mbrojtjes e ka privatësinë, ndërsa elementi i veprimit të kryerjes paraqet kryesi i personit të tretë t’i bëjë xhirim të kapshëm vide apo tjetër, fotografi, incizim audio apo shkrim me përmbajtje seksuale eksplicite, pa pajtimin e personit të cilit ai shkrim i referohet, përkatësisht pa pajtimin e personit i cili është shfaqur në xhirim, fotografi apo zëri i të cilit është incizuar audio”, thuhet në Propozim ligjin për ndryshim dhe plotësim të Kodit penal.

Me Propozim ligjin për ndryshim dhe plotësim të Kodit penal është përfshirë edhe dispozita për konfiskimin e zgjeruar, do të thotë neni 98-a, në drejtim të zgjerimit të përfshirjes së veprave penale për të cilat ajo mund të zbatohet. Me dispozitat e propozuara të përmbajtura në Propozim-ligj bëhet edhe përputhja me Konventën e Stambollit, përmes ridefinimit të veprës penale “Lëndim trupor” nga neni 130 i Kodit penal me mënjanimin e ndjekjes së lëndës në raste kur vepra është kryer gjatë ushtrimit të dhunës së bazuar gjinore, dhunës ndaj grave apo dhunës familjare apo nga urrejtja ose ndaj personit i cili është posaçërisht i ndjeshëm për shkak të moshës së tij, pengesave të rënda trupore apo shpirtërore apo shtatzënia, me çka kjo formë e veprës do të ndiqet sipas detyrës zyrtare në pajtim me dispozitat e Konventës së Stambollit.

“Për shkak të dobësive të vërejtura në praktikë, ndërkaq me qëllim të tejkalimit të tyre propozohet edhe futja e dy formave të reja tek vepra penale ‘Tregti me fëmijë’, për shkak të tejkalimit të gjendjeve me lypësit. krahas këtyre propozim ndryshimeve dhe plotësimeve, Propozim ligji për ndryshim dhe plotësim të Kodit penal përmban edhe ndryshime të cilat janë urgjente, ndërkaq kanë karakter të sqarimit teknik dhe përmirësimit të disa dispozitave të caktuara dhe atë tek, burgu shtëpiak, dënimi me kusht me mbikëqyrje të mbrojtur dhe konfiskimi i zgjeruar. Nga ajo që është cekur, qartë del se Propozimi i Ligjit dhe në të zgjidhjet e përmbajtura ligjore janë të domosdoshme si mekanizma juridik për t’u mënjanuar pasojat e ardhshme eventuale nga ndryshimet e miratuara ligjore të Kodit penal në shtator të vitit 2023, ndërkaq njëherit edhe për shkak të përmbushjes së standardeve evropiane dhe ndërkombëtare në përgjithësi”, ceket në arsyetim.

Propozim ligji përmban edhe dispozita për harmonizim të veprave penale kundër sigurisë në komunikacion dhe marrja e lëndëve me pakon e propozim ligjeve lidhur me projektin “Safe city”.