Ramadani nga ASH: Qeveria teknike nuk duhet shndërruar në mjet presioni politik

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Blerant Ramadani, ka deklaruar se partia e tij e sheh me maturi çdo përpjekje për ta shndërruar çështjen e “qeverisë teknike” në temë presioni apo kalkulimi politik, përcjell Zyrtare.

Në një reagim publik, Ramadani thekson se mekanizmi i qeverisë teknike është i përcaktuar qartë me ligj dhe lidhet drejtpërdrejt me afatet zgjedhore si dhe funksionimin normal të institucioneve shtetërore.
Sipas tij, qeveria teknike ndërtohet vetëm përmes respektimit të rendit kushtetues dhe procedurave ligjore. Ai nënvizon se çdo angazhim eventual i Aleancës për Shqiptarët në formate të tilla do të bëhet në koordinim të plotë brenda koalicionit AKI.
“Ne mbesim të hapur për dialog dhe komunikim, por gjithmonë mbi parime të qarta: ligjshmëri, barazi ndërmjet palëve dhe respekt për institucionet”, ka deklaruar Ramadani, duke shtuar se vetëm në këtë mënyrë ruhet serioziteti politik dhe besimi i qytetarëve.