Aliu: Gjatë vitit shkollor 2025/2026 janë furnizuar të gjitha shkollat me tekste shkollor

Në prag të përmbylljes së vitit, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se gjatë vitit shkollor 2025/2026 ka arritur të furnizojë të gjitha shkollat me tekste shkollore. Ky zhvillim tregon se, për herë të parë ose pas një periudhe të gjatë, të gjitha shkollat janë pajisur plotësisht me tekste shkollore.

Ministria shprehet e kënaqur me këtë arritje, veçanërisht pas periudhës së eksperimentimit kur tekstet shkollore u tërhoqën plotësisht nga përdorimi. Rikthimi i librave në shkolla vlerësohet si një hap pozitiv për përmirësimin e cilësisë se arsimit.

“Ne kemi arritur që tekstet shkollore t’i shpërndajmë me kohë në të gjitha shkollat. Nga ky vit është zgjidhur edhe një problem që ekzistonte me tekstet shkollore të gjuhëve të huaja. Tekstet e gjuhës angleze dhe gjermane janë shpërndarë dhe distribuuar nëpër shkolla për nxënësit. Po ashtu, për shkollat e mesme, për herë të parë janë sjellë tekstet e reja për gjimnazin e përgjithshëm. Mund të them se mbi 100 tituj janë miratuar për arsimin e mesëm profesional”, deklaroi zëvendës ministri i arsimit Lulzim Aliu.

Sipas Aliut, arsimi i mesëm profesional ka ende nevojë për tekste të tjera, proces që po vazhdon nga shërbimi pedagogjik, ndërsa gjatë vitit 2025 Ministria e Arsimit ka investuar rreth 30 milionë euro në projekte të infrastrukturës shkollore, përfshirë ndërtimin dhe rikonstruktimin e objekteve shkollore dhe sallave të sportit.

“Ajo që është e rëndësishme për nxënësit e arsimit të mesëm në nivel shteti, në veçanti për komunën e Kumanovës, është ndërtimi i objektit shkollor të shkollës së mesme “Sami Frashëri”. Thuajse investimi më kapital brenda këtij viti ka qenë ndërtimi i këtij objekti, i cili është në fazën përfundimtare dhe besoj se gjatë vitit 2026 do t’i dorëzohet komunës së Kumanovës. Uroj që të përfundojnë obligimet që i takojnë drejtorisë dhe komunës së Kumanovës, në mënyrë që në vitin shkollor 2026/2027 nxënësit të vazhdojnë mësimin në objektin e ri shkollor”, u shpreh Aliu.

Aliu përmendi edhe rikonstruimin e shkollës fillore “Sande Shterioski” dhe shkollës së mesme “Drita” në komunën e Kërçovës, si dhe rikonstruimin dhe pajisjen me rekuizite sportive në komunat e Çairit, Kërçovës dhe në disa komuna të tjera, gjithashtu zgjidhjen e problemit me shkollën në komunën e Çashkës.

Ai theksoi se për vitin e ardhshëm janë paraparë rreth 50 milionë euro për ndërtimin, rindërtimin dhe rikonstruimin e shkollave dhe sallave të sportit në nivel shtetëror. /rtvm2