Një vit burg për 46-vjeçarin që tentoi të përplasë policin me automjet në Kavadarci

Prokuroria Themelore Publike në Kavadar ka ngritur propozim-aktakuzë ndaj një burri 46-vjeçar për veprën penale sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave të sigurisë, pas së cilës Gjykata Themelore në Kavadar e shpalli fajtor, pasi ai e pranoi veprën, dhe i shqiptoi dënim me burg prej një viti.

Siç njofton Prokuroria, incidenti ka ndodhur më 21 dhjetor pas mesnate, kur i akuzuari, duke drejtuar një automjet pasagjerësh “Volkswagen”, nuk është ndalur pas sinjalit të dhënë nga zyrtarët policorë. Pasi në një nga kryqëzimet në Kavadar është rrethuar nga dy automjete policore me qëllim që të ndalohej, ai ka tentuar me automjetin të shkelë një zyrtar policor.
Polici ka dalë nga automjeti zyrtar për të kryer legjitimimin, por në atë moment i akuzuari është drejtuar me shpejtësi të madhe drejt tij, duke e goditur në pjesën e barkut dhe këmbën e majtë. Pas goditjes, i akuzuari ka përplasur edhe automjetin zyrtar policor dhe ka vazhduar të largohet me makinë. Si pasojë e sulmit, zyrtari policor ka pësuar disa lëndime trupore.

I akuzuari është privuar nga liria më 25 dhjetor, ndërsa që të nesërmen është nxjerrë para gjykatës, ku e ka pranuar veprën penale. Gjykata, përveç dënimit me burg, ka vendosur që deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, i akuzuari të mbahet në paraburgim, për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë së përsëritjes së veprës.