Ahmeti kujton Abdilaqim Ademin: Kongresi i V-të, nën hijen e një figure që nuk harrohet

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka kujtuar ish-Sekretarin e Përgjithshëm të BDI-së, Abdilaqim Ademi, me rastin e ditëlindjes së tij, e cila përkoi me mbajtjen e Kongresit të Pestë të partisë.

Në një mesazh publik, Ahmeti theksoi se dita e Kongresit të V-të, e cilësuar si e rëndësishme për të ardhmen e BDI-së, u shënua edhe nga përvjetori i lindjes së Abdilaqim Ademit, duke e vlerësuar kontributin e tij si të pazëvendësueshëm në konsolidimin dhe forcimin e partisë.

Sipas Ahmetit, Abdilaqim Ademi do të kishte mbushur 56 vjet jetë, ndërsa angazhimi i tij politik u karakterizua nga përkushtimi, besnikëria ndaj idealeve të përbashkëta dhe shërbimi i palëkundur ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim.

Ai theksoi se, pavarësisht sfidave dhe goditjeve politike, BDI vazhdon të mbetet një forcë e pathyeshme, duke ecur përpara me përgjegjësi historike dhe vizion të qartë për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Ahmeti nënvizoi se kujtimi për Abdilaqim Ademin mbetet i lidhur ngushtë me sukseset historike të BDI-së dhe me rrugëtimin e popullit shqiptar drejt dinjitetit, barazisë dhe perspektivës evropiane.

“Nuk të harrojnë shokët dhe miqtë, nuk të harrojnë bashkëveprimtarët. Nuk të harroj as unë, miku yt”, ka shkruar Ahmeti, duke përfunduar mesazhin me fjalët: “Lavdi jetës dhe veprës sate!”. (INA)