“Mirëpresim vendimin e BE-së për heqjen e masave”, Kurti: Shpresoj që pas zgjedhjeve edhe opozita t’ia heq masat Kosovës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës tha se mirëpresin vendimin e Bashkimit Evropian për t’i hequr masat e vëna ndaj Kosovës.

Ai para kabinetit qeveritar tha se këto masa ishin të padrejta që në ditën kur ishin vendosur pasi Kosova nuk ishte shkaktare të eskalimit të situatë së sigurisë në katër komunat në veri të vendit.

“Ne e mirëpresim vendimin e BE-së për t’i hequr masat që i ishin vendosur Kosovës. Ato ishin të padrejta që në ditën e parë…”, tha ai.

Sipas kryeministrit në detyrë, derisa Kosova nuk ishin shkaktare e ekslaimit të situatës së sigurisë në veri, de-eskalimi ishte mëritë e institucioneve të Kosovës.

Ai tutje kujtoi se vendi ishte cak i sulmeve terroriste. “Kosova dhe institucionet e saj u bën cak i sulmeve terroriste, si në Banjskë dhe në kanalin e Ibër Lepencit”, tha ai, raporton Telegrafi.

Kurti theksoi se përkundër masave që ishin vënë, Kosova nuk ishte e hidhëruar me BE-në.

“Megjithatë nuk kemi qenë të hidhëruar me BE-në. Kemi mbetur të përkushtuar për integrim evropian për përmbushjen e kritereve për anëtarësim dhe për të vazhduar si aleate e vlerave demokratike”, tha ai.

Kurti përmendi mos miratimin e Planit të Rritjes në Kuvend, gjersa tha se Kosova masat më të mëdha i ka vuajtur nga ‘opozita parlamentare’.

“…Por, më duhet të them edhe diçka se Republika e Kosovës masat më të mëdha financiare nuk i ka vuajtur nga Bashkimi Evropian, por nga opozita parlamentare. Në muajin e kaluar përkundër insistimit tonë kuvendi u shpërnda pa u votuar Plani i Rritjes me vlerë prej 880 milionë euro dhe tri marrëveshjet me Bankën Botërore me vlerë mbi 120 milionë euro në mungesë vullneti dhe votës së opozitës. Andaj, uroj dhe shpresoj që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe konstituimit të Kuvendit edhe opozita e tanishme t’ia heq masat Kosovës”, tha ai.