Në godinën e komunës erdhi me makinë të tipit Golf.
Te dera nuk u pa ta presë administrata e komunës, siç ndodh rëndom me një kryetar të ri.
Por i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të tij, Fadil Xhelili, ngjiti shkallët e komunës së Gostivarit, drejt vendit të ri të punës për të cilën e delegoi qeveria.
Zyrën e gjeti në errësirë, pa askënd brenda.
Siç edhe kishte paralajmëruar, ushtruesi i detyrës Valon Limani nuk e priti në zyrë për ta bërë një pranim-dorëzim të detyrës, qoftë edhe joformal, pasi asnjëri nuk është kryetar i zgjedhur me votat e popullit por në rrethana tjera.
Po kjo nuk e pengoi Xhelilin të akomodohet vetë.
Pasi i bëri një vëzhgim të shkurtër me sy, bashkë me ata me të cilët erdhi, zunë vend në tavolinën e mbledhjeve.
Tha se është këtu vetëm për të ruajtur funksionimin normal të komunës, për të mos pasur ngecje të shërbimit për qytetarët.
“Dua të çoj një mesazh në radhë të parë te qytetarët e Gostivarit që të jenë të bindur se vij në momente të vështira, por vetëm për të vazhduar funksionalitetin normal të komunës, as për ndonjë hakmarrje, as për të dëmtuar dikë”, tha Xhelili.
Për administratën komunale që nuk doli ta presë, Xhelili tha se kjo mund të jetë edhe nga frika që kanë nga përfaqësuesit e AKI-së. Megjithatë shtoi se ka ardhur të punojë me administratën aktuale, sepse siç u shpreh, “administratat nuk ndërrohen sa herë që ndërrohen kryetarët e komunave, por përgjegjësi prej tyre do të kërkojë”.
Me këtë delegim nuk pajtohet AKI-ja, në radhët e së cilës është ASH-ja e cila kandidoi Valbon Limanin në zgjedhjet e 19 tetorit. Nga atje thonë se vendimi i Qeverisë për të emëruar të ashtuquajturit “poverenikë” në krye të komunave është një akt i jashtëligjshëm që synon të uzurpojë vullnetin e qytetarëve të Gostivarit dhe Vrapçishtit.
“Në Gostivar, shkelja është edhe më e rëndë: Valbon Limani është ushtrues detyre i zgjedhur nga Këshilli Komunal, dhe neni 54, paragrafi 5 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale e përcakton qartë: “Anëtari i këshillit i zgjedhur për ushtrues detyre të kryetarit të komunës e ushtron funksionin deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.” Edhe ndryshimet e fundit në ligj e konfirmojnë të njëjtën dispozitë: “Ushtruesi i detyrës vazhdon funksionin deri në zgjedhjen e kryetarit të ri nga populli”, thanë nga AKI-ja.
Ditë më parë Limani paralajmëroi në TV21 se do ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese vendimin e Qeverisë për të deleguar ushtrues detyre kryetar i Gostivarit. I pyetur për këtë, Xhelili tha se Limani duhet t’i shfrytëzojë të drejtat ligjore që i takojnë.
Xhelili do ta ushtrojë detyrën e kryetarit si i deleguar nga qeveria deri në zgjedhjet e 11 janarit. U shpreh i gatshëm të jetë kandidat i VLEN-it për kryetar të Gostivarit, po shtoi se kjo mbetet të vendoset nga partnerët e koalicionit./TV21






