Zëvendëskryeministri dhe përfaqësuesi i VLEN, Arben Fetai, ka reaguar pas marrjes zyrtare të detyrës nga Fadil Xhelili si Ushtrues Detyre i Kryetarit të Komunës së Gostivarit, duke e cilësuar këtë vendim si të domosdoshëm për rikthimin e funksionimit normal të komunës.
Fetai thekson se Xhelili, i emëruar pardje dhe që sot ka marrë zyrtarisht detyrën, është i besuari i Qeverisë për rikthimin e stabilitetit institucional dhe garantimin e vazhdimësisë në shërbimet ndaj qytetarëve.
“Ky është një veprim i domosdoshëm për të garantuar vazhdimësi në shërbimet për qytetarët, për të vendosur rend në administratë dhe për të hapur një kapitull të ri përgjegjësie dhe transparence në Gostivar”, shkruan Fetai.
Sipas tij, Qeveria vepron atëherë kur ka nevojë, “me vendime të guximshme dhe në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve”, ndërsa shton se Gostivari meriton institucione funksionale dhe udhëheqje që punon, jo që bllokon.
Në fund, Fetai i uron sukses Xhelilit në detyrën e re:
“Urime z. Xhelili dhe suksese në këtë detyrë me përgjegjësi të lartë publike.”






