Snopçe: Buxheti pa mjete për përfaqësim të drejtë është kthim pas para Marrëveshjes së Ohrit

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka reaguar ashpër ndaj projekt-buxhetit të vitit të ardhshëm, në të cilin për herë të parë nuk janë parashikuar mjete financiare për kategorinë e përfaqësimit të drejtë dhe të barabartë, një obligim kushtetues dhe një nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit.

Gjatë debatit parlamentar, Snopçe njoftoi se grupi i deputetëve të ASH-së kishte propozuar një amendament për të siguruar financimin e kësaj kategorie, por amendamenti u refuzua nga përfaqësuesit e qeverisë dhe shumica parlamentare. Si rezultat, fondi për përfaqësim të drejtë ka mbetur me zero denarë.

“Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme. Çfarë porosie dëshiron të dërgojë qeveria me mosparashikimin e mjeteve për këtë kategori?”, u shpreh Snopçe, duke paralajmëruar se ky veprim vjen pas heqjes së balansuesit dhe mosmiratimit të ligjit të premtuar për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë, që duhej të ishte miratuar para një viti.

Deputeti i ASH-së theksoi se tashmë ekzistojnë dhjetëra raste të diskriminimit në institucionet shtetërore si rezultat i mosrespektimit të parimit të përfaqësimit të drejtë. Ai shtroi pyetjen nëse qeveria po synon të rikthejë vendin në periudhën para konfliktit të vitit 2001 dhe para Marrëveshjes së Ohrit.

“Në vend që të ecim përpara dhe të garantojmë të drejtat e qytetarëve, po shohim tendenca për t’i reduktuar ato. Kjo është tejet e rrezikshme për stabilitetin dhe kohezionin shoqëror”, deklaroi Snopçe.

Ai theksoi se Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të insistojë që përfaqësimi i drejtë dhe i barabartë të mbetet parim i pacënueshëm, i garantuar me ligj dhe me buxhet.