Policia ndalon 6 tifozë në Kratovë për thirrje albanofobe dhe urrejtëse në ndeshjen KF Sileksi-KF Shkupi

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se gjashtë persona janë ndaluar pas ndeshjes së futbollit ndërmjet KF “Sileks” nga Kratova dhe KF “Shkupi” nga Shkupi, e zhvilluar në stadiumin e Kratovës, për shkak të sjelljeve të pahijshme dhe thirrjeve me përmbajtje raciste e ofenduese ndaj shqiptarëve.

Sipas njoftimit të MPB-së, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes, nëpunësit policorë nga NJBP Kratovë kanë konstatuar shkelje të Ligjit për parandalimin e dhunës dhe sjelljeve të pahijshme në ngjarjet sportive.

Të ndaluarit janë: S.Ç. (31), S.D. (28), D.I. (29), M.T. (28), S.P. (27) dhe T.K. (45), të gjithë nga Kratova. Ata dyshohen se kanë bërë thirrje dhe brohoritje me përmbajtje fyese dhe albanofobe, duke nxitur urrejtje etnike gjatë ndeshjes.

Nga MPB bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj personave të përfshirë do të ngrihen parashtresa përkatëse penale.

Ky incident ka ngjallur reagime në opinionin publik, duke rikthyer në vëmendje nevojën për masa më të ashpra kundër gjuhës së urrejtjes dhe racizmit në sport.(INA)