Rezultati i zgjedhjeve lokale është shumë i keq dhe rezultati prej 126 mijë votave shpresoj të jetë fundi që ndonjëherë ka prekur LSDM-ja. Kështu u shpreh në intervistën në Alsat, koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski. Sipas tij, LSDM duhet të bëjë analizë të mirëfilltë dhe të shihet se cili është problemi kryesor brenda partisë, nëse duhet bërë reformë serioze në strukturën organizative të partisë dhe ndërtimin e kapacitetit koalicionues. Nuk dha përgjigje konkrete nëse kryetari i partisë Venko Filipçe duhet të japë dorëheqje, duke këmbëngulur në debat brendapartiak.
“Dorëheqjet janë akt personal, akt i thellë moral dhe etik por megjithatë konsideroj se ky debat duhet të hapet brenda organeve dhe trupave të partisë dhe aty të thuhen të gjitha ato qëndrime që i kanë anëtarët e partisë. Ne kemi disponim të fuqishëm opozitar tek qytetarët nëse i shohim jo vetëm numrat e atyre që kanë dalë në zgjedhje”, deklaroi Oliver Spasovski – LSDM.
Kryeministri Hristijan Mickoski habitet me deklaratat e Spasovskit për disponimin e fuqishëm opozitar kur siç thotë, koalicioni qeveritar ka fituar 80% të komunave.
“Do të thotë 80% e komunave i ka fituar koalicioni qeveritar ndërsa politikanë me përvojë në opozitë thonë se paska pasur disponim opozitar. Si mund të mos habitet njeriu se si nuk munden ta dëgjojnë dhe kuptojnë mesazhin e qytetarëve. Ne absolutisht qëndrojmë jashtë atyre proceseve, nuk na interesojnë. Ato janë çështje të brendshme të partive politike nëse në BDI do të ketë rifreskim të kuadrove apo në LSDM, kjo është punë e tyre”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Kreu i LSDM-së Venko Filipçe njoftoi ndryshime serioze kadrovike në parti. Ai theksoi se rezultatet e zgjedhjeve janë një udhërrëfyes i qartë për drejtimin në të cilin duhet të lëvizë LSDM-ja, si dhe për udhëheqjen e saj. /Alsat.mk






