Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, propozoi të enjten që NATO-ja të shqyrtojë përjashtimin e Spanjës pasi ajo mbetet prapa anëtarëve të tjerë për sa i përket shpenzimeve ushtarake.
Në qershor, anëtarët e Aleancës, e cila financohet më shumë nga SHBA-ja, ranë dakord të rrisin ndjeshëm shpenzimet ushtarake, në pesë për qind të produktit të brendshëm bruto. Kështu, kërkesa e Trumpit që anëtarët evropianë të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen e tyre u pranua.
Por kryeministri spanjoll Pedro Sanchez atëkohë tha se nuk do të angazhohej për objektivin prej pesë për qind, duke e quajtur atë “të papajtueshëm me shtetin tonë të mirëqenies dhe vizionin e botës”, raportoi CNN, përcjell KosovaPress.
Në një takim në Zyrën Ovale me presidentin finlandez Alexander Stubbs, Trumpi tha se udhëheqësit evropianë duhet ta bindin Spanjën të rrisë angazhimin e saj ndaj aleancës.
“Do të duhet të filloni të flisni me Spanjën. Duhet t’i telefononi dhe të zbuloni pse po e lënë pas dore. Ata nuk kanë asnjë justifikim për të mos e bërë, por kjo është në rregull. Sinqerisht, ndoshta duhet t’i dëboni nga NATO,” tha Trumpi.
Spanja u bashkua me NATO-n në vitin 1982. Aleanca perëndimore me 32 vende për mbrojtje dhe parandalim të ndërsjellë ka qenë në qendër të vëmendjes që kur Rusia pushtoi Ukrainën në vitin 2022, duke shkaktuar luftën më vdekjeprurëse në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.